Dosja hetimore, Dako kishte firmosur pezullimin e punimeve për pallatin që akuzohet

Një pallat 11-katësh “çoi pas hekurave ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako. Ky i fundit u arrestua me urdhër të SPAK dhe akuzohet për për ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’.

Sipas dokumenteve të bëra publike nga Inside Story, kolaudimi për pallatin 11-katësh në Durrës, një proces kyç për sigurinë e një objekti, jo vetëm është bërë 3 vite pasi objekti ishte i banueshëm, por ekspertja Ferzilet Hajdëri, ka miratuar si të rregullt objektin dhe nuk ka pasqyruar mangësitë.

Kur në të vërtetë, sipas prokurorisë, në muret rrethuese të garazhit nuk ishin vendosur pilotat. Është provuar që në zbatim janë hequr muret betonarme në garazh dhe janë lënë të hapura duke i zëvendësuar me vetrata xhami. Ashensori nuk zbret deri në garazh, janë ndërtuar shkallë nga jashtë për të zbritur.

Të gjitha abuzimet ishin konstatuar edhe në vitin 2011. Inspektorët e ndërtimit kanë konstatuar aso kohe se jo vetëm po ndërtohej pa leje, por punimet ishin devijuar, ishte betonuar kolana e katit të pestë, kishin devijuar disa prej akseve, disa akse të tjera duhet të ishin ndërprerë po ato vijonin të zgjateshin. Për të gjitha këto shkelje aso kohe u kërkua pezullim i punimeve dhe gjobë 60 mijë lekë.

Në të njëjtën kohë që kryebashkiaku, Dako, firmos lejen për shtesë katesh, ai firmos edhe raportin e inspektorëve të ndërtimit që punimet e pallatit të mbaheshin të pezulluar për shkak të shkeljeve. Ky është gabimi thelbësor i ish-kryebashkiakut mbi të cilin prokuroria krijoi bindjen se ai ka qenë në dijeni të situatës.

“Kjo bën që të arrihet në konkulzion se të gjitha dokumentet e sipërcituara janë të falsifikuara, duke vërtetuar katërcipërisht qëllimin kriminal, pajisjen me dokumentacion tekniko ligjor të jë objekti ndërtuar jo vetëm pa u zbardhur leja e ndërtimit, por edhe pa respektuar kushtet e parashikuara në projektin e paraqitur”, citohet në dosjen hetimore.

 


Shtuar 14.06.2023 22:24