Këtë të premte, opozita do të zhvillojë protestën e radhës përpara Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 vepra penale.
Opozita ka zhvilluar dhjetëra protesta para Bashkisë së kryeqytetit, me qëllimin e vetëm që Veliaj të japë dorëheqjen dhe t’i dorëzohet drejtësisë, pasi ai akuzohet për mosdeklarim e fshehje pasurie, pastrim i produkteve kriminale dhe korrupsion aktiv e pasiv.
Pasi u përfshi në disa skandale, nisur nga inceneratori i Tiranës, shembjen e teatrit dhe më pas dosja “5D”, përfaqësuesit dhe mbështetësit e opozitës i bëjnë thirrje kryebashkiakut që të largohet nga posti, pasi sipas tyre ai është një hajdut që ka abuzuar për vite me radhë me fondet dhe taksat e qytetarëve të Tiranës.
Protesta do të nisë në orën 11:00 përpara Bashkisë Tiranë, ndërsa drejtuesi politik i Tiranës Belind Këlliçi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive para bashkisë së Tiranës.
“Kreu i “5D” dhe pronari faktik i inceneratorit Tiranë duhet të marrë atë që meriton, barazinë para ligjit dhe trajtimin e njëjtë si çdo hajdut tjetër i kapur në flagrancë”, shkruan Këlliçi në postimin e tij në rrjetet sociale.
Nesër, e premte, datë 24 janar, ora 11:00, sërish në protestë për të 43 herë!
Kreu i “5D” dhe pronari faktik i inceneratorit Tiranë duhet të marrë atë që meriton, barazinë para ligjit dhe trajtimin e njëjtë si çdo hajdut tjetër i kapur në flagrancë!
Tirana nuk mund të vazhdojë më të vidhet barbarisht, ditën për diell. SPAK ta ndajë mendjen. Ose të zbatojë ligjin, ose të ulë qepenin!!!”, shprehet Belind Këlliçi.