Dosja 184, ILD kërkon shkarkimin nga detyra të prokurores së Dibrës, shkeljet që ka kryer

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor për prokuroron në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, Belina Zeneli.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në analizë të punës së kësaj magjistrateje në periudhën 2013-2021, provohen disa shkelje prandaj ILD ka propozuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore ”Shkarkim nga detyra”. Zeneli është marrë edhe me hetimet e dosjes së bujshme 184 për krimet zgjedhore në Dibër.

Njoftimi i ILD:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, të nisur bazuar në ankesën e depozituar nga Prokurori i Përgjithshëm, duke ngritur pretendime për zvarritje të pajustifikuara të veprimeve procedurale për tre magjistratë, XH.M., B.Z. dhe R.K. me detyrë prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Nga hetimi disiplinor i kryer nga inspektorë të ILD, për prokurorët XH.M. dhe R.K.,provat ishin të pamjaftueshme për të provuar kryerjen e shkeljes disiplinore, ndërsa hetimi ka vijuar për prokuroren B.Z.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në analizë të punës sëkësaj magjistrateje në periudhën 2013-2021, provohet se:

Nga ana e prokurores B.Z. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

Si pasojë e veprimeve e mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33  procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime.

Magjistratja ka zvarritur hetimet paraprake duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë dhe në dinamikë për periudha të gjata kohore të gjata, tej afateve procedurale dhe pa pasur arsye ligjore.

Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013 – 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese.

Shkeljet proceduriale të kryera nga magjistratja, provohen të jenë kryer me dashje direkte. Kjo bazuar në formimin dhe eksperiencën e gjatë si prokurore, si dhe për faktin se për këto lloj shkeljesh, ndaj saj në vitin 2014 është dhënë masa disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Veprimet e magjistrates B.Z.kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzësduke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

a) Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B.Z. përbëjnëshkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisëmasën disiplinore”Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Shtuar 20.01.2022 14:26