Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit Agron Shehaj nga punimet e Kuvendit për 60 ditë.
PS i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, duke kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj Shehajt, si edhe dërgimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Të lidhura
None found
Kërkesa lidhet me incidentin e ndodhur gjatë ditës së sotme, kur kreu i Partisë Mundësia mori nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA. Socialistët kërkojnë që ai të përjashtohet për 60 ditë nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancat plenare.
Në shkresë sqarohet se, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët ishin njoftuar se materiali përmbante informacion të klasifikuar. Për këtë arsye, dokumenti mund të konsultohej vetëm në mjediset e caktuara nga Kuvendi dhe pasi të ishte firmosur deklarata e konfidencialitetit.
Sipas pretendimit të PS-së, pasi mbërriti në sallën ku ruhej dokumenti, Agron Shehaj kërkoi ta merrte me vete kopjen fizike, por stafi i Kuvendit e kundërshtoi.
Në kërkesën e depozituar pretendohet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”. Një këshilltare e Kuvendit, e cila, sipas shkresës, e ndoqi për të rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesë.
