Doganat rekord të ardhurash në maj, rritje me 22%

Të ardhurat nga doganat në buxhet kanë vijuar të rriten edhe gjatë muajit maj, të favorizuara nga çmimet e rritura të shumë produkteve të importit.

Të ardhurat doganore për muajin Maj 2022 janë realizuar në masën 18,31 miliardë lekë nga 16.75 miliardë lekë që ishte plani i rishikuar (i rritur) ose 1.56 miliardë lekë më shumë (rreth 15 milionë USD).

Krahasuar me muajin Maj 2021, kur realizimi ishte pak mbi 15 miliardë lekë, të ardhurat e realizuara në Maj 2022 janë rreth 3.3 miliardë ose rreth 33 milionë dollar më shumë duke shënuar një rritje 22% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se plani është realizuar 109% duke thyer rekordin historik të të ardhurave për çdo muaj Maj në gjithë historinë e doganave.

Dogana online, miratohen 665 aplikime për një muaj!

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i është bashkuar nismës së Qeverisë për të dixhitalizuar shërbimet online për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet platformës E- albania.

Digjitalizimi i sistemit doganor ka bërë që të krijohen lehtësi për biznesin, shkurtim të kohës proceduriale, rritje e transparencës dhe ulje e nivelit të korrupsionit.

Këto shërbime kanë krijuar lehtësira për biznesin dhe qytetarët nëpërmjet ofrimit të shërbimit në kohë dhe me cilësi, duke shmangur vonesat dhe burokracitë e panevojshme.

Vetëm Gjatë muajit Maj nga DPD janë miratuar 665 shërbime online, ndërkohë që janë në proces 135 aplikime të tjera, sipas njoftimit të doganave./monitor