Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës e ka ftuar presidentin francez Emmanuel Macron në një takim pasi ai fitoi zgjedhjet presidenciale të dielën.
Sipas Klix , Dodik deklaroi se ishte inkurajuar nga deklarata e Macron se do të avokonte për mbrojtjen e demokracisë, ndaj ia kujtoi letrën e 15 nëntorit 2021.
Në letër, Dodik i kishte bërë thirrje atij ta zhvillonte një takim “në dritën e situatës aktuale politike në Republika Srpska dhe BeH, si dhe në Ballkanin Perëndimor”, përcjell Gazeta Express.
“Unë jam i hapur për t’u takuar në vendndodhjen sa më shpejt që ta sugjeroni dhe jam gati ta bëj këtë ose në terren neutral sipas zgjedhjes suaj ose në një nga institucionet tuaja. Franca është pa dyshim një nga partnerët më të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe tregtare të BeH. Mirëkuptimi dhe mbështetja e Francës dhe e juaja si lider janë të një rëndësie të madhe në këtë kontekst”, tha Dodik.
Dodik arriti në përfundimin se presidenti francez do të ishte në gjendje ta pranonte takimin e propozuar. “Jam i bindur se takimi i ardhshëm do të jetë një lidhje kyçe për të kuptuar situatën aktuale në BeH, por në të njëjtën kohë një shtysë shtesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira politike dhe ekonomike midis popujve të BeH dhe Francës”, përfundoi ai.
Klix kujton se Dodik më parë kishte lidhje të ngushta me mbështetësit e Marine Le Pen, e cila humbi.