Ekstradohet nga Kosova drejt Shqipërisë shtetasi Arben Lamçe.
Lamçe u arrestua rreth dy javë më parë në një operacion në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK lidhur me operacionin “Plumbi i Artë 2”. Ai dyshohet si pjesëtar i grupit të Çopjave, madje konsiderohet si “ekzekutori” i këtij grupimi në mjaft ngjarje kriminale.
Arben Lamçe është një figurë kyçe e kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri. Lamçe dyshohet se ka marrë pjesë në disa vrasje vitet e fundit në Shqipëri.
Historia kriminale e Lamçes është e gjerë. Ai ka qenë i burgosur më parë në Itali për 14 vite me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, duke çuar në sekuestrimin e pronave të tij në Tiranë dhe Elbasan. I arrestuar në Elbasan dhe i ekstraduar në Itali në vitin 2011, Lamçe u kërkua të vuante dënimin e dhënë nga Gjykata e Breshias.
Më herët në vitin 2003, Lamçe u arrestua pasi iu shmang autoriteteve për gati një vit. Ai u identifikua si një nga organizatorët e trafikut klandestin detar. Pavarësisht se fillimisht i shpëtoi një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Vlorës duke ndryshuar identitetin e tij, ai u kap përfundimisht gjatë një operacioni të shpejtë të natës.