Do trafikonte dy çanta me kanabis dhe armë zjarri drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohet 51-vjeçari

Murat Manuka është arrestuar nga policia në Korçë pasi është kapur duke transportuar lëndë narkotike në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

51-vjeçari, banues në Paskuqan në Tiranë, u arrestua tek vendi i quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec.

Gjatë kontrollit në bagazhin e makinës së tij,u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një shtetas po lëvizte në dalje të qytetit të Pogradecit, me një automjet taksi, me të cilin dyshohej se mund të trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, lëndë narkotike dhe armë zjarri, koordinuan veprimet dhe tek vendi i quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec, bënë ndalimin e këtij automjeti, me drejtues shtetasin M. M.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Veprimet procedurale për këtë rast u kryhen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 4.01.2024 10:19