“Do thyejmë edhe Ramën”, Bylykbashi: 6 marsi do të tregojë opozitën e vërtetë

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi u shpreh se zgjedhjet e 6 marsit do të tregojnë se kush është opozita e vërtetë.

Komentet Bylykbashi i bëri gjatë një takimi me demokratët në Katund të ri në Durrës. Duke folur për zgjedhjet e 6 marsit, Bylykbashi tha se kjo datë do të tregojë se kush është opozita e vërtetë.

Bylykbashi ka hedhur akuza ndaj socialistëve duke thënë se prej 22 vitesh kanë grabitur pushtetin në Durrës, ndërkohë nuk ka “harruar” akuzat edhe ndaj Lulzim Bashës duke thënë se ishte ai që u hoqi demokratëve mundësinë duke bojkotuar zgjedhjet në 2019.

“6 Mars tregojmë se kush është opozita e vërtetë. Kemi betejën për të fituar Durrësin për t’ia kthyer demokratëve dhe qytetarëve. Se pushteti nuk mund të grabitet, siç kanë bërë prej 22 vitesh socialistët. Vendimi i Bashës në 2019 na e hoqi mundësinë por kësaj radhe do e fitojmë. Kundërshtari ynë është Edi Rama dhe do e thyejmë. Dhe me këtë opozitë që nuk bënë kompromise por lufton për të drejtat e shqiptarëve”, tha Oerd Bylykbashi./albeu.com/