“Do të rikthejmë të rinjtë”, Berisha: 100 ditët e para krijohet fondi i rinisë! Mbështesim me 5000 euro këdo që nis një start up

Kreu i PD-së Sali Berisha ishte mbrëmjen e sotme në Durrës për takimin përmbyllës elektoral në këtë qytet para zgjedhjeve të 11 majit.

Berisha premtoi fond të posaçëm për të rinjtë në 100 ditët e para të qeverisjes demokrate.

Kryedemokrati theksoi se do jepen 5000 euro për çdo të ri që hap një start up apo biznes.

“Do rikthejmë të rinjtë shqiptarë nga mbarë bota. Ndaj dhe këtu para jush zotohem se do dyfishohet investimi për arsimin, për rikthimin te shkolla moderne, për mësues që s’do paguhen kurrë nën 1000 euro. Hiqet mesatarja për universitetet. Çdo i ri që diplomohet do ketë një vend pune të garantuar në sektor publik apo privat. Në 100 ditët e para krijohet fondi i rinisë me të cilin do mbështesim me grante, çdo të ri 5000 euro grant për çdo të ri që do të nis start up apo biznes”, tha ai.

“Start up do ketë fondin e veçantë. Çdo punëmarrës që punëson të rinj do ketë 70% zbritje në taksa. Për talentin e të rinjve në sport dhe kulturë fond i veçantë për ti mbështetur ata 5 mln euro. Kjo do lehtësojë garën botërore të rinjve tanë. Qeveria e ardhshme, në epiqendër të programit do ketë fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë. Duhet që ata të ndërtojnë ëndrrën në këtë vend. Vetëm ëndrra e tyre e bën Shqipërinë me të ardhme”, deklaroi Berisha.


Shtuar 6.05.2025 21:33