Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot (e enjte) marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për ndërtimin e urës mbi Bunë.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Boiana”, u miratua me 97 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Plani i Shqipërisë dhe Malit të Zi është që, deri në vitin 2024, së bashku të ndërtojnë një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin, komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri.
Gjatësia e urës do të jetë 310 metra, ajo do të ketë dy korsi të gjera më pak se katër metra dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë nëntë milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth 18 muaj.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka thënë se ura do të përshkohet vetëm në dy minuta.
“Me ndërtimin në Urën e Bunës, një urë që është 310 metra, do të përshkohet vetëm në 2 minuta, duke ju dhënë mundësi vizitorëve që janë numra të konsiderueshëm. Bëhet fjalë për mbi 360 mijë turistë që lëvizin dhe mbi 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë. Kjo është një punë dhe një investim që do të bëhet duke e ndarë investimin mes 2 vendeve. Parashikohet që investimi të shkojë rreth 1,5 miliardë lekë, që do të ndahen 50 me 50 mes vendeve tona. Keni nisur nga puna që projektimi, dokumentacioni dhe çdo gjë tjetër të kryhet nga FSHZH-ja sa më shpejt”, pati thënë Balluku kohë më parë.
Ura do të vendoset mbi degën e lumit Buna në dy degë që formojnë vendbanimin ekskluziv turistik të Ada Buna në Mal të Zi.