“Do të jemi në Kuvend të hënën”, Bardhi paralajmëron përplasje me mazhorancën?

Gazment Bardhi ka folur ditën e sotme lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend.

Për hetimin e SPAK ndaj Sali Berishës, Bardhi tha se përsa kohë ai është një nga faktorët më të rëndësishëm në opozitë, çdo veprim i drejtësisë ndaj tij, do të duhet të marrë vëmendjen e faktorëve të tjerë politikë, përfshirë edhe kryeministrin.

“Mendoj se, përsa kohë zoti Berisha është një nga faktorët më të rëndësishëm në opozitë, çdo veprim i drejtësisë ndaj tij, do të duhet të marrë vëmendjen e faktorëve të tjerë politikë, përfshirë këtu kryeministrin. Pra do të duhet të ketë një qëndrim të tij dhe të zotit Basha, pasi zoti Basha ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i zotit Berisha prej vitit 2005. E kam një shpjegim pse heshtin, por besoj që për opinionin publik shpjegimi do të zbulohet në vijimësi”, tha ai.

I ftuar në emisionin “Pa censurë”, Bardhi tha se ish-kryeministri Berisha nuk do të ndikojë në betejën e grupit parlamentar me qeverinë e kryeministrit Rama.

“Kam vënë në dijeni partnerët për atë çka po ndodh në parlament, që opozitës i është mbyllur çdo rrugë institucionale brenda parlamentit. Praktikisht nuk na njihet mandati i deputetit, të ndërhysh në çështje të brendshme të grupit të PD duke tentuar të poshtërosh 90% të deputetëve të opozitës. Të mohosh të drejtën e 45 deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor, të mohosh të drejtën e  të 40 deputeteve që të caktojnë përfaqësuesit e tyre në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, të injorosh kërkesat për informacion që janë një e drejtë kushtetuese e deputetëve, të injorosh kërkesat e deputetëve, apo kërkesat për interpelanca me kryeministrin dhe me ministrat, do të thotë që ke mbyllur çdo hapësirë institucionale për opozitën në parlament. Ju siguroj se do të jetë një reagim i opozitës që do të vijijojë.

Përsa kohë opozita nuk ushtron dot normalisht funksionet e veta,  edhe maxhoranca nuk do t’i ushtrojë dot dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh Gazment Bardhi, duke paralajmëruar një “përplasje” të re të hënën në Kuvend.


Shtuar 27.10.2023 21:56