Ditën e sotme, GJKKO kaloi për gjykim dosjen ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të pandehurve të tjerë Fatime Kryemadhi, Ema Coku dhe Pirro Xhixho.
Këta të fundit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Në fjalën e saj para mediave, Kryemadhi tha se nuk kishte asnjë surprizë, por theksoi se fatin e saj nuk e ka në dorë as gjykata dhe as prokuroria.
Ajo theksoi se beteja nuk është ligjore, por është një betejë me veten dhe zotin.
“Fatin tonë nuk e ka as GJKKO dhe as Prokuroria, por e kemi vetë në dorë. Kjo është një betejë me opinionin publik, nuk është beteje ligjore. Beteja jonë është beteja me vetëveten dhe zotin. Sa i përket vendimit të sotëm mund të them që ishte një vendim nën presion, jo të gjithë e përballojnë presionin. Gjyqtarja pranoi që në dosje 90% të akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë. Në dosje nuk ka asgjë. Tani do kënaqeni, do shikoni të gjitha kartat e krediteve të bizneseve. Kanë paguar për dashnoret apo jo”, tha Kryemadhi.
Më tej, ajo u shpreh; “shumë pjesë së Gjykatës së Posaçme dhe të institucioneve të tjera të ‘pavarura’ janë pjesë e videotekës së Ergys Agasit. Ky është litari në fyt që ka sistemi ynë i drejtësisë. Mos u çudisni, çudia më e madhe në Shqipëri tre ditë zgjat, kurse çudia ime me Ilir Metën do ju zgjasë gjithë jetën”.
Kryemadhi deklaroi se tani që dosja kaloi në gjykim, shqiptarët do të shikojnë një “Big Brother të drejtësisë”.
“Një gjë të mirë bëri gjyqtarja që renditi nja 10 fakte që prokuroria nuk i ka bërë. Akuzohemi që kemi bërë korrupsion unë dhe Adrian Shatku, por ai nuk është marrë në pyetje”, tha ish-kryetarja e LSI.
