Kryetari i Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Medias, Agron Gjekmarkaj, është shprehur se Agjencia për informim që pritet të krijojë qeveria shqiptare, rrezikon të kthehet në ministri propagande.
Agron Gjekmarkaj ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro dhe Ambasadorin e OSBE, Vincenzo Del Monaco, takim gjatë të cilit ka bërë edhe deklaratat e tij në lidhje me agjencinë e informacionit.
Gjatë takimit, Gjekmarkaj ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me gjendjen e medias sot në Shqipëri, ku siç thotë gjatë qeverisjes së kryeministrit Rama lajmi ka funksione kryekëput propagande.
Deklarata e plotë e Agron Gjekmarkajt:
Sot pata nderin të takoj zonjën Teresa Ribeiro, Përfaqësuese e OSBE për lirinë në media si dhe Ambasadorin e OSBE në Tiranë shkëlqesinë e tij Vincenzo Del Monaco me të cilët shkëmbeva pikëpamje dhe ide mbi çështje të lirisë së mediave në vendin tonë! U shpreha atyre keqardhjen se sot një Konferencë e rëndësishme për gazetarinë kritike nën kujdesin e OSBE u bë nën ombrellën e Qeverisë ku spikati Kryeministri i vendit dhe ministra të tij ndërsa përfaqësues të Opozitës morën ftesa pa emër si dëgjues sa për të mbushur sallën ! Po ashtu u shpjegova se historikisht në Shqipëri pavarësisht në ka qeverisur e djathta apo e majta problemi kryesor ka qene qeveria në raport me mediat fjalën dhe lirinë, por asnjëherë si në këto vite lajmi ka funksione kryekëput propagande, ky Kryeministri ka Tv personal dhe po kaq ka miratuar edhe një agjenci, e cila rrezikon të shndërrohet në ministri propagande ndonëse ne e kemi një agjenci shtetërore lajmesh!
Lajmet dalin të paketuara e të ambalazhuara siç i do Kryeministri. Gazetaret e kanë të vështire ta marrin informacionin në burim.
Gjithaq problematike është situata tek AMA ku në shkelje të ligjit u zgjodh zëdhënësja e PS në krye të këtij institucioni me një procedure ndërtuar mbi insistim dhe sherbestari politike.
Po ashtu mazhoranca në mënyre golpiste ka uzurpuar këshillin mbikëqyrës së RTSH i cili duhet me urgjence të kthehet në legalitet e funksionim, duke i rikthyer sipas formulës Opozitës vendet e saj. Gjithashtu informova miqtë për situatën në media ku një pjese e konsiderueshme e tyre janë nën diktat prej marrëdhënieve të tërthorta apo të drejtpërdrejta interesi që kanë me Qeverinë.
Ligji antishpifje tundet here pas here mbi horizontin mediatik më shumë si kërcenim sesa nevojë për vetë rregullim në sfidë të vazhdueshme me nevojat e komunitetit dhe të perspektivave të lirisë.
Mora premtimin e Zonjes Ribeiro për një monitorim thelbësor të çështjeve të ngritura dhe e sigurova atë se në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Medias si përfaqësues i Opozitës shqiptare do të jem dhe do të jemi vigjilent ndaj çdo kërcënimi të lirisë së opinionit dhe nevojave të punëtoreve të saj!
Ne jemi pas tridhjetë vitesh në këtë pike si shoqëri në tranzicion prej politikes së vjetër dhe autoritariste, ku liria e fjalës shpesh shihet si armik për fajin tonë dhe jo të organizatave ndërkombëtare për mbështetjen e te cilave kemi shume nevoje si arbitrazh bazuar mbi parime demokratike dhe jemi krejt të hapur!/albeu.com