Djegia e karrigeve të Kuvendit, reagon Rama: Ne përpiqemi të ndërtojmë, ata shkatërrojnë dhe djegin

Kryeministri Edi Rama është duke mbajtur fjalën me grupin e dytë të aplikantëve në platformën “Deputetët që duam”.

E nuk kishte se si gjatë këtij takim të mungonte dhe një koment në lidhje me kaosin e shkaktuar ditën e sotme nga deputetët e opozitës në Kuvend.

Kryeministri tha se mazhoranca përpiqet të ndërtojë dhe të shërojë plagët që ka vendi, teksa opozita bën të kundërtën duke shkatërruar dhe djegur.

Ai ka treguar një foto të karrigeve që digjen, teksa tha se kjo ndodhi për shkak të një vendimi të gjykatës.

“Duke ardhur përpara sesa të dëgjoja fjalët tuaja, më çoi dikush këtë fotografi, ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve, të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje, në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Pse e solla këtu këtë imazh?

Dua të them pak fjalë për politikën, e cila, prej shumë kohësh, në Shqipëri, por edhe në vendet më të zhvilluara ka lënë ditë jo të mira në perceptimin publik. Është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por ka bërë edhe katastrofa të mëdha. Refuzimi i politikës si diçka apriori e keqe. Është e pamundur ta vendosësh ti, se çfarë politika bën apo nuk bën me ty. Ti mund të vendosësh sesa mund ti ta ndikosh politikën. Nëse ti refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin që të merret me ty. Edhe brenda shtëpisë, shumëçka lidhet me politikën dhe vendimet e saj.

Siç ka fuqinë të mbjellë ka dhe atë që të shfarosë dhe besoj që midis këtyre të dy pamjeve, kuptohet jo absolute por relative, qëndron edhe ndarja sot këtu tek ne, midis nesh që përpiqemi të ndërtojmë dhe shërojmë, dhe atyre që nga ana tjetër shkatërrojë, plagosin, shkulin dhe djegin”, theksoi kreu i qeverisë.


Shtuar 30.09.2024 20:21

Tags: ,