Djalin ia vranë në atentat me tritol, nëna e Aleksandër Sadikajt tregon bisedën e fundit me të birin

Zbardhet dëshmia e nënës së Aleksandër Sadikajt, të riut të vrarë në mënyrë mafioze, duke u hedhur në erë me tritol në automjetin e tij. Ngjarja në fjalë ndodhi në rrethrrotullimin e Teg-ut në qershor 2022.

Emisioni “Në Shënjestër”  ka siguruar dëshminë e shtetases me inicialet S. K., e cila ka treguar për policinë edhe dyshimet e saj dhe lëvizjet e fundit të djalit, pak para se ai të vritej.

Sipas informacioneve që ka dhënë nëna e Sadikajt, djali i saj nuk ka qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, që i ka identifikuar si; Ledjani dhe Xhoni. Në dosje bëhet e ditur se Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip Golf të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.

“Djali im ka qëndruar në hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë së bashku me shtetasit Ledjan dhe Xhoni me origjinë nga Fieri dhe banues në Sarandë. Pak kohë para se të vritej, Aleksandri më ka thënë se automjetin tip Golf me ngjyrë të bardhë e kishte lënë disa ditë për ta rregulluar në fshatin Kurjan në Fier, tek magazinat në pronësi të dajës së Edmond Papës. Ai që i sugjeroi djalit tim për ta çuar makinën në Kurjan, ishte Ledjani, i cili është lidhje e ngushtë shoqërore e vëllezërve Papa.”, tha nëna e Sadikajt.

 

 

Kjo mesa duket ishte edhe arsyeja përse Aleksandër Sadikaj, ditën që shpërthimi i mori jetën, nuk lëvizte me makinën e tij, por me një automjet tip ‘Mercedes Benz’. Ekspertët e xhenios, konstatuan se ishin vendosur 500 gramë tritol, pikërisht në serbatorin e makinës.

Por pas vrasjes së djalit të saj, dhe të thënave që ai i kishte lënë, mbi shoqërinë ditët e fundit me Ledjanin, nëna e Sadikaj kërkoi të kishte një komunikim me të, qoftë për të mësuar edhe diçka nga e vërteta e asaj që ndodhi me djalin e saj. Por ky takim, siç del edhe nga ky rrëfim i saj përpara oficerëve të policisë, nuk u mundësua kurrë, pasi ai mesa duket refuzoi t’i dilte përballë

“Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte.”, tha nëna e Aleksandër Sadikaj.

Teksa Ledjani, po i fshihej nënës së Aleksandër Sadikaj, kjo e fundit thotë se insistoi deri në fund për të një takim me të. Madje duke shkuar këtë herë vetë në hotelin ‘Blu Sky’ në Sarandë ku qëndronte, ai.

“Pasi pashë që Ledjani nuk donte të më dilte në takim, ndodhur në këto kushte kam shkuar vetë tek hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë.

“Por edhe këtë herë ai nuk më ka dalë në takim. Për arsye të cilat nuk mi bëri të njohura”, tha ajo.

Por ndërsa nëna e Aleksandër Sadikaj, kërkonte me insistim të mësonte të vërtetën mbi vrasjen e të birit, në fundin e muajit dhjetor vjen edhe ekzekutimi i Edmond Papës. Ngjarje kjo e ndodhur më 16 dhjetor 2022, në një lokal në rrugën ‘Fadil Bodinaku’ në zonën e Selitës në Tiranë. Papa u qëllua ndërsa po pinte kafe, poshtë pallatit ku banonte vëllai i tij, ditën kur ai udhëtoi nga Saranda drejt Fierit ku thuhet se mori nënën e tij për ta sjellë në Tiranë për disa kontrolle shëndetësore.

Por ndërsa të gjitha dyshimet bien mbi një konflikt të mundshëm për drogën midis Sadikaj dhe Papës, duket se pistat rrokullisen edhe njëherë pas dëshmisë së fundit të dhënë nga nëna e tij. Kjo e fundit përpara grupit hetues tregon një tjetër version që mund të jetë një pistë e besueshme, version të cilin ajo e bazon në bisedën që Xhino ka bërë me djalin e saj pak minuta para se të vritej. Sadikaj i ka treguar në telefon një tokë që familja e tij kishte në pronësi pranë TEG-ut, pronë që me shumë gjasa duhet të ketë pasur një vlerë të lartë në treg.

“Më datë 17 Dhjetor 2022 në shtëpinë time në Memaliaj ka ardhur Xhino, i cili më ka thënë që ishte kthyer nga varrimi i Edmond Papës dhe më ka kërkuar që ta shoqëroja për në varreza, tek varri i Aleksandrit. Xhino më ka treguar nga telefoni një video që Aleksandri kishte regjistruar vetëm pak minuta para se të vritej, që tregonte një sipërfaqe toke që kemi në pronësi në afërsi të Qendrës Tregtare ‘TEG’ dhe për këtë pronë kishte shfaqur interes për ta blerë Ledjani.”, tha nëna e Sadikajt.

Sipas nënës së Aleksandër Sadikaj, interes për këtë tokë kishte shfaqur edhe Ledjani, por mesa duket familja Sadikaj ishte treguar më e shpejtë në veprimet e saj. Në dojse thuhet se kjo mund të ketë lënë të pakënaqur, Ledjanin dhe njerëzit e tij përreth, në këtë rast edhe Edmond Papën. Një version i mundshëm ky, pa lënë mënjanë edhe konfliktet e tjera që palët mund të kenë pasur në afera të ndryshme. Ndërkohë që siç del nga dëshmia e nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese. Kjo rriti edhe më shumë dyshimet te nëna e Aleksandër Sadikaj, se vrasësi i të birit ishte Edmond Papa dhe njerëzit pranë tij.

“Xhino më ka pohuar që vëllezërit Papa dhe Ledjani, mbajnë armë zjarri dhe lëndë eksplozive në ambjentet e Hotel ‘Blu Sky’, në Sarandë. Dyshoj se vrasja e djalit është organizuar nga vëllezërit Edmond Papa dhe Kristo Qiriqi, alias Jetmir Hoxha, në bashkëpumim me Ledjanin.”, theksoi ajo./BW/