Djali i Belerit flet për median greke: Do të luftojmë deri në fund

GJKKO dënoi sot me dy vite burg Fredi Belerin, kryebashkikun e zgjedhur të Himarës, në zgjedhjet e 14 majit. Pas këtij vendimi djali i tij, Petro Beleri ka dhënë një prononcim për median greke ethnos.gr.

Ai shpreh pakënaqësinë e tij ndaj këtij vendimi, por nga ana tjetër shtoi do të vijojë çështja nëpër gjykata. Ai deklaroi për median greke se si babai i tij i burgosur, familja dhe të gjithë himarjotët janë të vendosur të çojnë çështjen deri në fund që të dalë e vërteta.

Sipas tij, seanca në Gjykatën e Apelit mund të mbahet jo më vonë se një vit nga sot, por nuk përjashtohet që procesi gjyqësor të përfundojë në majin e ardhshëm. Petro Beleri shprehet se kemi të bëjmë me një proces të pastër politik, i cili sipas tij bazohet në prova të rreme, vetëm që babai i tij të mos kryejë detyrën.

“Vendimi i shërben 100% synimeve të qeverisë shqiptare, në një kohë kur çdo argument i tyre është mposhtur. Ata duan të na çojnë sërish në zgjedhje, por çfarë kuptimi do të kenë ato, pasi po përpiqen në çdo mënyrë të pengojnë daljen e kryetarit të zgjedhur ligjërisht? Tani qeveria greke duhet të marrë një qëndrim të qartë. Të gjithë himarjotët janë të vendosur. Sot jashtë gjykatës ishin 100 persona, përveç atyre në sallën e gjyqit. Kjo është historike, e cila u zhvillua në mënyrën më të keqe për palën greke. Ne do të vijojmë të sillemi me nder dhe do të luftojmë deri në fund”, tha Petro Beleri.


Shtuar 5.03.2024 20:58