Protesta e qytetarëve të Divjakës kundër reformës administrative-territoriale të Partisë Socialiste ka hyrë në ditën e 23-të. Banorët kundërshtojnë planin që parashikon përfshirjen e Bashkisë Divjakë në një njësi të përbashkët administrative me Lushnjën.
Megjithëse pjesëmarrja në tubime është pakësuar, përfaqësuesit e protestës thonë se kjo situatë është pasojë e presioneve që, sipas tyre, pushteti qendror ushtron ndaj qytetarëve dhe administratës. Ata përmendin kontrollet tatimore dhe forma të tjera presioni.
Të lidhura
None found
Gjatë tubimit, protestuesit u kanë kërkuar institucioneve qendrore ta përjashtojnë Divjakën nga projekti i reformës territoriale, të cilin e kundërshtojnë duke e quajtur projekti “Mazniku”.
Një tjetër kërkesë e tyre është që në shesh të paraqiten drejtuesit dhe përfaqësuesit e administratës së Bashkisë Divjakë, si edhe deputetët e zonës, për të dëgjuar shqetësimet e banorëve.
Pas përfundimit të tubimit, qytetarët marshojnë nëpër rrugët e qytetit. Ky marshim zhvillohet çdo mbrëmje dhe është përsëritur për 23 ditë radhazi.
Protestuesit këmbëngulin që Bashkia Divjakë të mos bashkohet me Lushnjën dhe të vijojë të funksionojë si njësi administrative më vete.
Qëndrestarët kanë deklaruar se nuk do ta ndërpresin protestën pa marrë një përgjigje nga qeveria lidhur me të ardhmen administrative të Divjakës.
