Qytetarët e Divjakës kanë vijuar protestat kundër bashkimit të bashkisë së tyre me Bashkinë e Lushnjës, duke shënuar ditën e 22-të të tubimeve kundër ndryshimit të propozuar të hartës administrative.
Gjatë protestës, folësit renditën arsyet përse Divjaka, sipas tyre, duhet të vazhdojë të jetë një njësi vendore më vete. Ata iu drejtuan edhe deputetëve të zonës dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, duke u kërkuar të mbështesin qëndrimin kundër bashkimit me Lushnjën.
Të lidhura
None found
Thirrje të forta u drejtuan ndaj ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Protestuesit kërkuan që Mazniku të shpallet “non grata” në Divjakë, për shkak të rolit që, sipas tyre, ka në procesin e riorganizimit territorial.
Me ironi u komentua edhe pozicioni i deputetit Erion Braçe. Qytetarët sollën në vëmendje deklaratat e tij të mëparshme në mbështetje të Divjakës dhe shprehën pikëpyetje për qëndrimin që ai mban aktualisht për të ardhmen e bashkisë.
Pas përfundimit të tubimit, protestuesit marshuan nëpër rrugët e qytetit, duke përsëritur kundërshtimin ndaj shkrirjes së Bashkisë Divjakë.
Qytetarët njoftuan se protesta do të vijojë edhe nesër, ndërsa u bënë thirrje banorëve për një pjesëmarrje më të madhe.
Në sheshin ku u zhvillua tubimi ishte vendosur një banderolë me logot e lëvizjes qytetare. E njëjta banderolë ishte parë edhe një ditë më parë në protestën e Tiranës, ku ishte vendosur nga një grup të rinjsh nga Divjaka.
