Dita e ngritjes së flamurit në Durrës, Begaj: Qyteti i parë i Rilindjes tonë

Presidenti Bajram Begaj ka marrë pjesë ditën e sotme ceremoninë e ngritjes së flamurit në Durrës, në përkujtim të 26 Nëntorit 1912.

Begaj vlerësoi rolin e qytetarëve të Durrësit, që në atë kohë dolën në krah të patriotëve për ardhmërinë e Shqipërisë së pavarur dhe, gjithashtu, vizionin e tyre sot për transformimin e qytetit.

“Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor, u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall”, theksoi Presidenti.

Begaj shprehu mirënjohje për sakrificat që durrsakët kanë bërë gjithmonë për të mirën e vendit dhe mençurinë që kanë treguar, duke kapërcyër çdo ndasi për interesin kombëtar:

Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e gjuhës, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi.                   

Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, si dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin, që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë”, u shpreh Presidenti.

 


Shtuar 26.11.2023 14:19

Tags: ,