Marrja e shërbimeve dhe të mirave në shumë raste kufizohet nga diskriminimi dhe për vitin 2022 të paktën 48.3 për qind e ankesave të bëra pranë Komsionerit lidhen më këtë aspekt.
Në raport me vitin 2021 kjo kategori ankesash është rritur me 4 për qind teksa të larta kanë vijuar të mbeten ankimimet për diskriminim në punësim. Këto të fundit zunë 47 për qind të totalit duke regjistruar një ulje me 5 për qind në raport me vitin paraardhës.
Raporti nënvizon se gjatë vitit 2022, shpërndarja e çështjeve të trajtuara sipas 3 fushave, punësim, arsim, të mira shërbime, vazhdon të jetë e ngjashme me atë të vitit 2021, gjatë të cilit rezulton se, çështjet në fushën e arsimit zënë 4.7% të totalit të çështjeve të trajtuara gjatë këtij viti me një rritje të lehtë prej 0.7 % krahasuar me vitin paraardhës.
Gjatë vitit 2022, nga totali prej 297 çështje të trajtuara gjithsej, (281 ankesa dhe 16 çështje exofficio), nga këto 14 çështje në fushën e arsimit, 140 çështje në fushën e punësimit dhe 143 çështje në fushën e të mirave dhe shërbimeve (213 çështje të regjistruara në 2022 dhe 84 çështje të mbartura nga 2021.
Të dhënat tregojnë se janë subjektet publike ato ndaj të cilave ka më shumë ankesa nga individë që janë ndjerë të diskriminuar dhe si arsye kryesore ka shërbyer aftësia e kufizuar apo bindjet politike e gjendja arsimore edhe pse këto të fundit në rënie në raport me 2021-in.
“Numri total i çështjeve të trajtuara në fushën e të mirave dhe shërbimeve është 143, nga të cilat 117 çështje janë regjistruar në vitin 2022 dhe 26 çështje të mbartura nga 2021. Në total 107 ankesa drejtohen kundër subjekteve publike dhe 36 ankesa drejtohen kundër subjekteve private.
Nga 107 ankesat e trajtuara kundër subjekteve publike, në 39 raste ato janë drejtuar kundër institucioneve të pushtetit qendror dhe në 68 raste kundër institucioneve të pushtetit vendor.
Gjatë vitit 2022, rezulton që çështjet kundër subjekteve publike qendrore zënë 36% të totalit të çështjeve në këtë fushë, ndërsa çështjet kundër subjekteve publike vendore zënë 64% të totalit të çështjeve në këtë fushë” thuhet në raportin e Komsionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
I njëjti vlerëson se ankesat e paraqitura në këtë fushë, kanë të bëjnë kryesisht me mos ofrimin e shërbimeve të nevojshme nga njësitë e qeverisjes vendore ndaj individëve të ndryshëm, që u përkasin komuniteteve të ndryshme apo shtresave vulnerabël.
Një pjesë e mirë e ankesave drejtohen edhe kundër institucioneve të administratës qendrore, ku objekti i ankesave konsiston në mosofrimin apo garantimin e një serie shërbimesh si, shërbimi shëndetësor, si dhe mos ofrimi i transportit publik qytetas pa pagesë, etj. Shkaqet kryesore, për të cilat janë paraqitur ankesat në fushën e shërbimeve kanë qenë: aftësia e kufizuar, raca dhe gjendja ekonomike./monitor