Disa vite nga atentati ndaj Ines Hajrullajt te “Uji i Ftohte”, grupi i Vlorës dënohet me 148 vite burg në total

Gjykata e Vlorës ka pranuar pretencën e prokurorit të çështjes duke dënuar me 148 vite burg në total, grupin e Vlorës të cilët bënë atentatin tek “Uji i Ftohtë” ku mbeti i plagosur Ines Hajrullaj.

Kështu, fajtor për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë është shpallur Daut Elmazi i cili dënohet me 35 vite burgim.

Fajtor është shpallur edhe Gentjan Dautaj (Zoto), i cili po ashtu është dënuar me 35 vite burgim. Fajtorë me nga 25 vite burg janë shpallur Igli Memaj, Serxhio Ademi dhe Albano Goxhaj.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja u regjistrua më 10 maj të dy viteve më parë në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.

Hajrullaj i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.

Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.

Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë dhe se Hajrullau tentua të vritej në shenjë hakmarrje për sulmin me armë të datës 17 shkurt 2019, ku mbetën të vrarë Arjan Hasanaj dhe Resti Rexho ndërsa Armando Sulejmani i plagosur lehtë.

Sipas prokurorisë së Vlorës Inez Hajrulla në datën 10 maj 2019 ka qenë nën shoqërinë e Ervis Matodashaj, në ambientet e një lokali në Vlorë. Pikërisht në këtë vend disa persona kanë qëlluar me armë me qëllim për të vrarë Inez Hajrulla. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur. Si pasojë e këtyre të shtënave është plagosur rastësisht Dajko Canodemaj, i cili ka qenë duke pirë kafe.

Në ikje e sipër autorët e këtij krimi që ndodheshin brenda një automjeti tip “Land Rover” me ngjyrë jeshile dhe që në kokë mbanin maska, janë përplasur me dy automjete të rastit në afërsi të bashkisë Vlorë, dhe më pas kanë ikur në drejtim të fshatit Babicë.

Policia u është vënë në ndjekje këtij automjeti dhe në afërsi të fshatrave Babicë e Vogël, dhe Çeprat, ky automjet është gjendur i djegur. Brenda në automjet ndodheshin dy automatikë të djegur plotësisht dhe një dorezë plastike e djegur pjesërisht.


Shtuar 21.11.2022 20:46