Disa kriminelë në fluturimet e evakuimit nga Kabuli

Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer konfirmoi se në urën e shpëtimit ushtarak nga Kabuli kanë mundur të depërtojnë në Gjermani edhe persona të regjistruar nga policia afgane si kriminelë.

Me avionët e Bundeswehrit nga Afganistani duhet të vinin drejt Gjermanisë, krahas gjermanëve që punonin atje, edhe ish-punonjës lokalë, gazetarë, aktiviste e aktivistë të shoqërisë civile, si edhe ata që duhet të merreshin nën mbrojtje pas ardhjes në pushtet të talibanëve. Por Minisria Federale e Punëve të Brendshme bëri tani (05.09) të ditur, se përmes kësaj rruge kanë arritur të vijnë në Gjermani edhe persona që për autoritetet e sigurisë klasifikohen si „me relevancë për sigurinë”.

Deri këtë moment janë identifikuar 20 raste, „që për shkak se nuk u verifikuan në Kabul po verifkohen tani në Gjermani”, tha ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer në Mynih. Mes këtyre rasteve penale ka edhe përdhunues të dënuar. Në raste të tjera bëhet fjalë për falsifikim dokumentesh. Katër prej atyre që janë marrë me aksionin e shpëtimit kanë qenë në Gjermani para disa vitesh dhe janë dëbuar.

Sipas agjencisë së lajmeve, dpa, mes personave të penalizuar ndodhen edhe emra që janë shfaqur në listën e Qendrës së Mbrojtjes nga Terrorizmi të landeve dhe federatës. Me aksionin e shpëtimit në Gjermani erdhën 4587 vetë, mes tyre 3849 afganë dhe 403 gjermanë./DW


Shtuar 4.09.2021 14:49