Në muajt pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, vitin e kaluar, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Disa nga to përmendën dyshimet për spiunim si arsye për dëbimin e emisarëve.
Së paku tre prej tyre u rishfaqën më pas si diplomatë të akredituar në Serbi – dy prej të cilëve kanë lidhje me inteligjencën ruse, tregon një hulumtim disamujor i Radios Evropa e Lirë.
Diplomati i tretë, që aktualisht gjendet në Ambasadën ruse në Beograd, e la postin e tij në Ambasadën ruse në Helsinki dy muaj pasi Finlanda njoftoi për dëbimin e diplomatëve rusë, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt të vitit 2022.
Rusia e rriti praninë e saj diplomatike në Serbi, pas një vale të dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja, vitin e kaluar. Në Serbi tani gjenden 62 diplomatë të akredituar, në krahasim me 54 sa ishin në mars të vitit 2022, tregon një analizë e listave diplomatike, që mbahet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Serbia nuk i vendosi sanksione Moskës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës.
Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq përpiqet të mbajë edhe lidhje të ngushta me Rusinë, e cila e mbështet Beogradin në mosmarrëveshje të shumta me Perëndimin.
Rusia është ndër vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështet përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Tani, së paku një diplomat i dëbuar rus, i lidhur me një njësi të Shërbimit Federal rus të Sigurisë (FSB) – që akuzohet për sulme kibernetike kundër sektorit energjetik të SHBA-së – është vendosur në Beograd, ashtu si edhe një tjetër i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, tregon hulumtimi i REL-it.