Dinamika e plagosjes së 37-vjeçarit në Vlorë, gjendet një makinë e djegur

Hanaj ka qenë duke pirë kafe disa minuta përpara ngjarjes, teksa një automjet i dyshuar Audi e ka pritur te hyrja e pallatit të tij në lagjen ‘Pavarësia’.

Sapo Hanaj po shkonte për në banesë, nga automjeti janë ulur xhamat është nxjerrë një armë dhe është qëlluar drejt tij. Fatmirësisht Hanaj e ka vënë re armën dhe ka filluar të vrapojë deri tek marketi pak metra më tutje. Në drejtim të tij mendohet të jetë shtënë rreth pesë herë.

Një plumb e ka kapur në dorë, një tjetër te xhamat e një ndërtese, ndërsa një plumb te xhami i marketit në fjalë.

Kamerat e marketit kanë fiksuar pjesën ku Hanaj vrapon në drejtim të marketit, por pa fiksuar automjetin, i cili besohet se është larguar në drejtim të rrugës Transballkanike.

Hanaj është çuar në spital nga persona që ishin aty pranë teksa edhe policia është lajmëruar nga banorë të lagjes, të terrorizuar për ngjarjen.

Në dëshminë e tij të parë në polici, Hanaj ka treguar se s’ka mundur t’i njohë autorët. Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes apo konflikteve të kohëve të fundit, por nuk përjashtohen as pistat e tjera.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në datën 05.01.2022, për ngjarjen e ndodhur tek lagjja “Pavarësia”, ku u plagos me armë zjarri në dorë shtetasi D. H., ju bëjmë me dije se:

Nga shërbimet policore, në fshatin “Trevëllazër” Vlorë , në një rrugë dytësore është gjetur i djegur një automjet i markës “Audi Q7”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave që do të çojnë në identifikimin e autorit/ve të ngjarjes.

 


Shtuar 6.01.2022 09:47