Shpesh jemi mësuar të shikojmë dhe të dëgjojmë për futbollistë, boksier apo persona të ndonjë sporti tjetër, por nuk i kemi kushtuar ndonjëherë shumë rëndësi personave të cilët ushtrojnë palestër, trajnerëve të fitnessit.
Ky sport ose ky profesion, ka një rëndësi shumë të madhe për këdo, pasi vlen shumë për shëndetin e çdokujt. Të jesh një traijner palestre nuk është një gjë e lehtë, pasi përveçse duhet të trajnosh veten tënde për të qëndruar në formë, duhet gjithashtu të jesh në gatishmëri të klientëve që t’i ke.
Një nga këta djem të cilët e ushtrojnë këtë sport dhe këtë profesion është Andi Xhafa.
Andi është një djalë 26-vjeçar nga Tirana, i cili ka vite që e ushtron këtë profesion dhe këtë sport. Por Andi ka patur një të shkuar ndryshe nga kjo që ai bën sot. Në moshën e adoleshencës, ai ishte një fizik i dobët, ka qënë i apasionuar pas teknologjisë dhe rrinte gjithë ditën para kompjuterit, dhe shpeshherë ai harronte madje edhe të ushqehej.
Në gjimnaz ai nisi të stërviteshe që të shtonte peshë, pasi fiziku i tij ishte i dobët. Ditët kaluan dhe ai filloi të shihte ndryshime te vetja e tij, u shtua vetëbesimi dhe filloi gjithashtu të shikonte video të ndryshme në internet se si të tjerët stërviteshin. E nisi këtë stërvitje për të ndryshuar diçka te vetja që të mos ishte më i dobët dhe sot është një pasion që vështirë që mund t’i ndahet.
Hera e parë që ai shkeli në një palestër ishte në dhjetor të vitit 2017, katër vite pasi praktikoheshe në shtëpi. Gjithë ajo sakrificë ka bërë që ai sot të ketë një eksperiencë profesionale dhe vullneti i tij sot pasqyrohet te shumë të rinjë që ai mundohet t’i angazhojë personalisht apo edhe nëpërmjet videove të tij në rrjetet sociale.
Në një intervistë ekskluzive me gazetarin e Abc News, Hergi Llupin, Andi Xhafa ka shpjeguar gjithçka në lidhje me profesionin dhe sportin e tij të preferuar.
-Sa vite keni që trajnoheni?
Gjithsej kam 9 vite që stërvitem, 4 vite në kushte shtëpie dhe 5 vite në palestër.
-A ke menduar ndonjëherë të dorëzohesh, të shkëputesh?
Kurrë! Ambiciet e mia kanë qenë të qarta që në momentin kur kam vendosur të ndryshoj fizikun tim. Karakterizohem nga disiplina e hekurt, gjë për të cilën dua dhe e transmetoj te të rinjtë.
-Keni konkurruar ndonjëherë si bodybuilding?
Po, jam shpallur kampion i Shqipërisë në vitin 2021, duke qenë ndër të vetmit atletë që ka bërë përgatitjen e garës plotësisht vetë, pa suport trajneri, dhe jam shpallur fitues që në herën e parë që konkurroja.
-Ju ndihmoni shumë njerëzit në rrjetet sociale, nga lindi kjo ide?
Në vitin 2021 unë vendosa të merrem seriozisht me rrjetet sociale, duke i konsideruar si platforma ku unë të shfaq punën time dhe pasionin tim për fitness. Ideja erdhi prej mungesës së theksuar të informacionit që e karakterizon vendin tonë rreth këtij sporti.
-Çfarë synimi keni me këtë sport?
Synimi im është të kem influencë sa më të gjerë dhe të edukoj shqiptarët rreth botës së fitnessit.
-Një mesazh për të rinjtë shqiptarë në lidhje me fitnessin?
Mesazhi im për rininë shqiptare është që të nisin sa më herët aktivitetin fizik sepse ai duhet shndërruar në stil jetese, jo si një urë kaluese drejt një fiziku të bukur. Përfitimi i fitnessit nuk është vetëm te bukuria e trupit tënd, por edhe në aspektin e shëndetit të secilit prej nesh, pasi ushtrimi i aktivitetit fizik dhe mënyra e të ushqyerit mirë, ka shumë përfitime./