Diaspora mblidhet në Tiranë, Begaj: Promotorë të identitetit tonë, mos harroni gjuhën shqipe

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë çeli sot punimet dyditore Samiti i III-të i Diasporës duke bërë bashkë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh në Itali, studiues e historianë në Ditën e Arbëreshëve.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj në fjalën e tij është shprehur se do të vijojë të mbështesë punën e institucioneve për shpërndarjen e librave shqip në Diasporë.

Presidenti shtoi se nuk duhet harruar gjuha shqipe dhe se prindërit duhet të kenë rol parësor për të përcjellë gjuhën shqipe tek të gjithë ata fëmijë që jetojnë në trevat shqiptare apo në botë.

Begaj: Kënaqësi që jemi mbledhur nga gjithë anët e botës për të diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë sonë. Shqipëria është një vend i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot qindra e mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi, promotorë të kulturës dhe identiteti tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. Në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica se keni harruar kurrë Shqipërinë. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën, s’duhet ta shohim si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të identitetet tonë. Vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë. Kemi akoma shumë për të bërë. Do mbështes punën për shpërndajnë e librave shqip, por kjo nuk mjafton, fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi për të mësuar shqip. Përdorimi i gjuhës shqipe s’mund të bëhet me urdhër. Roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe është parësor. Mësimi i gjuhës shqipe duhet të jenë prioritet që na bashkojnë./albeu.com


Shtuar 23.11.2023 10:54