Dhunoi gruan sa kujtoi se e vrau, kaq vite burg u dënua 50-vjeçari në Durrës

Apeli la në fuqi vendimin e gjykatës së Durrësit për 50-vjeçarin që plagosi rëndë gruan se i kërkoi divorcin në mars të vitit të kaluar.

Gjykata e rrethit bregdetar e deklaroi fajtor shtetasin Artan Hasa, për kryerjen e veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje” dhe e dënoi atë me 13 vjet burgim, po në aplikim të uljes së dënimit me 1/3, Hasa u dënua me 8 vjet e 8 muaj burgim.  Një vit më parë, ngjarja tronditi rëndë opinionin publik, në prag të ditës ndërkombëtare të grave.

Ngjarja e rëndë brenda familjes ndodhi më 6 mars 2020, pasi një ditë më parë i dënuari kishte marrë njoftim nga gjykata se gruaja kishte kërkuar divorcin. Pas dhunës me pasoja të rënda mbi bashkëshorten, duke menduar se e kishte vrarë, ai tentoi të vetëvarej, por vjehrra e tij, nëna e të dhunuarës, e shpëtoi duke thirrur për ndihmë.

Gjykata vlerësoi se Artan Hasa paraqet një rrezikshmëri të madhe shoqërore, kur mbi nënën e 4 fëmijëve të tij përdor një dhunë “të frikshme, me rrahje në mënyrë të egër dhe pa ndjenja njerëzore, që ka çuar në një pasojë të dhimbshme”.
Ndaj gjykata vlerësoi se dënimi duhet të jetë i ashpër, pasi vepra penale e kryer prej tij paraqet rrezikshmëri shoqërore, cenon raporte të rëndësishme, siç “është nderi e dinjiteti i gruas, shëndeti i saj dhe aq më tepër kur ajo është drejtuar kundër bashkëshortes, vetëm për faktin se duhet të tregonte forcën e tij të burrit, duke e konsideruar familjen si një pronë të tij”.

Pas ankimimit të këtij vendimi nga i dënuari dhe mbrojtja e tij, Apeli i Durrësit, në përfundim të gjykimit, la në fuqi vendimin penal të shkallës së parë.


Shtuar 16.06.2021 11:57