Dhuna ndaj tre shqiptarëve në Malin e Zi, policia identifikon tre autorët

Policia e Malit të Zi, ka identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët sulmuan dhe dhunuan tre shtetasit shqiptarë në rrugën kryesore të qytetit të Zelenikës.

Drejtoria e Policisë konfirmoi se sipas informacioneve të deritanishme, shkak i ngjarjes ka qenë një sherr në trafik, por pa dhënë detaje të tjera shtesë.

“Sot në orët e pasdites përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Departamentit të Sigurisë Herceg Novi se në rrugën kryesore në qytetin e Zelenikës ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur. Policia dhe efektivët janë dërguar në vendngjarje ku kanë konstatuar tre persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kanë pasur lëndime të dukshme, të cilët më pas janë drejtuar për të kërkuar ndihmë mjekësore. Policët kanë ndërmarrë veprime në kuadër të juridiksionit të tyre për të përcaktuar të gjitha rrethanat në të cilat persona të lënduar, dhe për të ndriçuar ngjarjen”, thuhet në njoftim.

Sipas mediave, tre persona nga Herceg Novi dyshohen si autorë të sulmit fizik.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, pas ngjarjes, ka komunikuar menjëherë me homologun e shteti fqinj, ndërsa është siguruar për zbardhjen e plotë të sherrit ku mbetën të lënduar tre shqiptarët.


Shtuar 7.01.2024 10:00