“Dhoma mbuluar me gjak”, pronarët e shtëpisë flasin për vrasjen e 37-vjeçares në Elbasan: Kishte urdhër mbrojtje

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e 37-vjeçares në Elbasan, mëngjesin e ditës së sotme.

Pronarët e banesës ku jetonin me qera çifti i bashkëjetuesve, Jetlira Elezi dhe Ramis Mici kanë folur mbi ngjarjen tronditëse.

Sipas dëshmisë së dhënë, viktima Jetlira Elezi që u vra me thikë nga Ramis Mici, kishte marrë një urdhër mbrojtje nga policia, pasi 4 ditë më parë e kishte denoncuar këtë të fundit për dhunë.

Gjithashtu pronari i banesës ka zbuluar se grindjet mes tyre kishin nisur ditët e fundit, ndërkohë përshkruan edhe momentin kur panë të pajetë 37 vjeçaren Jetlira Elezi.

“Një muaj kishin që jetonin këtu. Para 4-5 ditësh u grindën dhe e e ndjera e denoncoi zotërinë në polici. Më pas erdhi policia këtu dhe e mori. Ajo zbriti nga kati i dytë ku po qëndronte dhe u vendos në katin e parë, i liruam një dhomë.

Mesa na tha neve, policia i kishte dhënë urdhër mbrojtje. Mbrëmë nga ora 1 pa 10 kur doli ai nga dera, e kishte ndjerë gruaja ime. Kur zbrita poshtë, pashë që dera ishte hapur, u afrova e pashë që ishte gjak dynjaja, ajo kishte mbaruar. Kur hyra brenda pashë kufomën e kishte kthyer kurrizin nga dera dhe gjithë dhoma ishte bërë gjak”, u shpreh pronari i banesës para mediave.

Ndërkohë policia është vënë në kërkim të autorit të krimit dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes./albeu.com/