Dezinformimi, shoqëria digjitale përballë nevojës për edukim mediatik

Oliverda Allmuça

Marshall McLuhan e paralajmëroi që në vitin 1964, të ardhmen ndryshe që priste gjithë shoqërinë njerëzore. Me konceptin e “fshatit global”, ai e shpjegoi qartë, se format e reja të komunikimit dhe zhvillimi i madh teknologjik, po sillnin një qasje të re që do i zhbënte ndjeshëm kufijtë fizikë që ndanin botën. Dhe diçka e tillë ndodhi.

Sot qasja në internet ka ndryshuar mënyrat sesi shoqëritë funksionojnë, duke riformësuar edhe konceptin e komunikimit ndërpersonal, që më shumë sesa komunikimin ballë për ballë, tashmë nënkupton atë virtual nëpërmjet rrjetit.

Mediat e reja, ishin një nga produktet e këtyre ndryshimeve teknologjike, të cilat përveç mundësive dhe të mirave, sollën me vete edhe shumë problematika. Njësoj si çdo gjë e panjohur, edhe qasja e palimituar në rrjet vjen me një kosto të madhe, sidomos për parimet e gazetarisë të cilat në këtë shoqëri digjitale, kanë pësuar lëkundje të herëpashershme.

Sot publiku, bombardohet në mënyrë të përditshme nga informacioni, duke e bërë edhe më të vështirë qasjen kritike ndaj tij për shkak të sasisë, shpejtësisë dhe shpeshtësisë. Duke marrë parasysh problemet në modelet ekonomike të këtyre mediave, mund të themi lirisht se “ekonomizimi i vëmendjes” është akoma karburanti që i mban gjallë këto media.

Por lufta e ashpër për vëmendje ka shkaktuar probleme të mëdha me lajmet e rreme të cilat ndahen në tri kategori kryesore:

  • Dezinformimi: Informacion i rremë dhe i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup shoqëror, organizatë ose vend.
  • Keqinformimi: Informacion i rremë por jo i krijuar me qëllim shkaktimin e dëmit.
  • Informacion keqdashës: Informacion që bazohet në realitet, që përdoret për të shkaktuar dëm në një person, grup shoqëror, organizatë ose vend.

Por nëse për një profesionist të fushës së komunikimit, përcaktimi i këtyre kategorive ka vështirësitë e veta, si gjendet audienca e thjeshtë përballë këtij deti informacionesh?

Publiku i gjerë sot has vështirësi të mëdha në filtrimin e informacionit që thith në mënyrë të vazhdueshme, duke mos kuptuar më se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e manipuluar. Por nëse hapat teknologjikë kanë marrë hov, shoqëria nuk është njësoj e përgatitur për të pasur një qasje kritike përballë këtyre portave të reja.
Këtu lind nevoja për të vënë dorë në sistemin edukues, duke përfshirë edhe edukimin mbi mediat si një nevojë e pashmangshme, për të pasur individë të shëndetshëm që nuk e cënojnë demokracinë.

Ndryshe nga sa keqkuptohet, Edukimi Mediatik nuk është një sulm ndaj medias, por është një teknikë e rëndësishme në sigurimin e një kornize analizuese për materialet e ndryshme që qarkullojnë në median masive, duke ndërtuar ndër të tjera, edhe një kuptim të ri të rolit të medias në shoqëri. Një qytetar i cili ka të kultivuar te vetja nocionin kritik ndaj medias, mund të bëjë një analizë të mirëfilltë të informacioneve që merr, duke qenë i mbrojtur kështu nga terrenet e përshtatshme për propagandë dhe manipulime.

Mësimi i parë i edukimit mediatik lidhet pikërisht me arritjen e ndarjes së faktit nga opinioni.

Një detaj tjetër i rëndësishëm lidhet me mënyrën sesi e përdorim kohën në raport me median. Sa orë mund të qëndrojmë para kompjuterit, televizorit apo celularit? A ka pasoja negative kjo kohë që e harxhojmë pa e kuptuar duke u bombarduar me informacione?

Një studim përfaqësues kombëtar i kohëve të fundit zbuloi se sa më shumë t’i përdorin të rriturit mediat sociale, më të mëdha janë gjasat që ata të bien në depresion, sipas një kërkimi të ri nga Universiteti i Shkollës së Mjekësisë së Pitsburgut. (Vërtet i Verifikuar)

Ndaj lind nevoja, që në mënyrë që të mos ndihemi të mpirë dhe të ngarkuar nga informacioni pa kriter, të krijojmë një sistem personal ku media të përdoret me efiçencë dhe me orare të caktuara.

Këto udhëzime dhe shumë të tjera të cilat mund edhe të gjeni në platformën http://verified-albania.org, ndihmojnë goxha individin që ta nisë edukimin mediatik nga vetja dhe me detaje të vogla, që shpeshherë për shkak të rutinës dhe nxitimit, harrojmë t’i vëmë re.

Në këtë platformë gjenden gjithashtu edhe informacione më të thelluara, që e kapërcejnë edukimin mediatik në një lëndë mirëfilli që shërben si mburojë për publikun e gjerë, ndaj informacioneve të rreme dhe propagandës.

Kështu një tjetër detaj i rëndësishëm është edhe ai i përcaktimit të axhendave mediatike dhe gjithashtu edhe rëndësinë e pronësisë.
Në pamje të parë, një qytetar i thjeshtë ndoshta do të mendonte se në fakt pronësia e një mediaje nuk ndikon në mënyrën sesi ky individ zgjedh të informohet apo krijon mendimin e tij lidhur me ngjarje të caktuara. Por eksperienca ka treguar se ndryshe ndodh në realitet. Kjo pasi pronësia mund të ndikojë tek informacioni që organet e mediave vendosin të transmetojnë.

Po mediat sociale, të cilat sipas statistikave të Departamentetit të Gazetarisë dhe Komunikimit, po gllabërojnë me hapa galopantë audiencën shqiptare, sa i njohim dhe sa i përdorim siç duhet? A është i besueshëm informacioni dhe lajmet që lexojmë në këto platforma? Çfarë janë algoritmet? Po dhoma jehonë dhe flluskat filtruese? Kush vendos për ne?

Me këtë video, mund të ndiqni më së miri informacione të detajuara rreth algoritmeve dhe mënyrës sesi ato kanë aq fuqi sa të përcaktojnë edhe bindjet tona.

Por përtej të gjitha këtyre, edukimi mediatik merr peshë edhe më të madhe në këto kohë pandemike ku informacionet e tepërta dhe negative, shkaktojnë frikë dhe ankth te publiku duke i ulur nocionin kritik.

 

Pasi të keni ndjekur me kujdes kursin online në Vërtet i Verifikuar, në fund do të gjeni edhe disa këshilla lidhur me verifikime të thjeshta që mund të bëni në rast se keni dyshime për vërtetësinë e një informacioni.
Kështu:

 

Për ta përmbledhur, edukimi mediatik tashmë duhet përqafuar edhe në Shqipërinë e infodemisë, ku tendenca për të qarkulluar materiale të manipuluara, po rritet vazhdimisht dhe e vetmja formë për ta luftuar, është fitimi i njohurive thelbësore lidhur me kërkimin dhe analizimin e informacioneve.

 


Shtuar 24.12.2021 16:25