DETAJI/ U gjet tek Çapjat, “Alfa Romeo”, do përdorej për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, planin e rrëfeu Dumani

Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i bastisjes së servisit në pronësi të babait të Florenc Çapes.

Gazetari Ora News, Elton Qyno informon se makina tip Alfa Romeo e cila është gjetur në servisin e Çapjave besohet se do perdorej nga Çapjat dhe Nuredin Dumani për të vrarë, Sokol Sanxhaktarin.

Makina rezultonte e vjedhur më 8 prill 2019 dhe në dëshminë e Nuredin Dumanit është folur për një makinë të vjedhur që i është vënë në dispizicion grupit që do të merrte pjesë në vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.

Babai i tij, Fejzulla Çapja është shpallur në kërkim nga policia,ndërsa më parë 64 vjeçari rezulton i kallëzuar në polici edhe nga vellai i Bledar Muçes, Gentian Muça.

Ndërsa djali i tij Florenc Çapja i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale prej vitesh ndodhet ende në arrati.

Kujtojmë se Nuredin Dumani ka dëshmuar për një takim që ka pasur me anëtarë të fisit Çapja në prill të vitit 2020 në Elbasan. Ai ka shpjeguar se gjatë bisedës i është bërë ofertë për të kryer një atentat ndaj Sokol Sanxhaktarit kundrejt një pagese prej 200 mijë euro. I penduari është shprehur se nuk e kreu ngjarjen pasi shkëputi lidhjet dhe kaloi me grupin tjetër të drejtuar nga Erion Alibej.

Çfarë ndodhi sot?

Gjatë aksionit të kryer në servisin në pronësi të shtetasit Fejzullah Çapja babi i të shumëkërkuarit Florenc Çapja në lagjen Emin Matraxhiu, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një automjet tip “Alfa Romeo”, pa targa, i cili rezulton i vjedhur në Kavajë, më datë 18.04.2019.

Në vijim të kontrollit, në brendësi të automjetit u gjetën 2 targa, të cilat gjithashtu rezultojnë të vjedhura në Elbasan, më datë 29.06.2020, fishekë luftarakë dhe 1 aparat celular.

Burimet bëjnë të ditur se Florenc Çapja ishte kthyer nga Dubai për në Shqipëri.

Dyshohet se 64-vjeçari ndihmonte të birin në aktivitetin kriminal, ndaj Fejzullah Çapjas janë ngritur 3 akuza.

Ndërsa në ambientet e servisit, shërbimet e Policisë gjetën një kapele me stemën e Policisë, si dhe një këllëf për mbajtjen e armëve të zjarrit.


Shtuar 17.08.2022 11:47