Mediat turke kanë nxjerrë detaje të tjera në lidhje me arrestimin e Dritan Rexhepit sot në Stamboll.
Sipas AA-së, Rexhepi ishte nën vëzhgimin e shërbimeve secrete italiane, të cilat kanë informuar turqit për vendin ku jetonte.
Më pas, Drejtoria e Antidrogës në Stamboll ka kryer një operacion sot në mëngjes për arrestimin e tij pasi italianët e kishin zbërthyer të gjithë itinerarin e Rexhepit, raporton AlbEu.com.
Pritet që Rexhepi të ekstradohet në Itali pas arrestimit të sotëm në Stramboll, ndërkohë që nuk dihet se si ka mundur të dalë nga Ekuadori, ku ishte liruar nga burgu me ndalesën për të dalë jashtë vendit.
Italianët ishin prej kohësh në vëzhgim të tij dhe janë informuar për largimin nga Ekuadori në drejtim të Europës. Disa muaj më pas shërbimet sekrete italiane kanë zbuluar se ai gjendej në Turqi ku edhe kanë nisur kërkimet. Turqia është kthyer në një parajsë të trafikantëve ndërkombëtar të drogës dhe krerëve të grupeve mafioze nga e gjithë bota pasi mund të marrësh lehtësisht dokumente idenifikimi lokale si edhe gjen bashkëpunim me policinë. Më herët në Stamboll fshihej edhe koka e një grupi mafioz serb, të cilin nuk e gjeti policia por kundërshtarët duke e vrarë në vend.
Rexhepi kërkohet nga Italia krahas shteteve të tjera në Europë për trafik të kokainës.
Ai u kap në një kompleks vilash në periferi të Stambollit duke u shtrirë fillimisht në tokë pasi iu vunë prangat dhe më pas u fut në makinë. Gjatë kontrollit policia gjeti armë, bizhuteri të shtrenjta si edhe një sasi të madhe parash.
Autoritetet turke bëjnë me dije se ai u kap në një operacion në bashkëpunim me Italinë dhe Shqipërinë. /albeu.com