DETAJET/ Ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës e lidhur me një grup kriminal: Pastronte paratë e dy vëllezërve të dënuar në Belgjikë për drogë

Ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, e cila është arrestuar sot (26 tetor) dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal, me qëllim pastrimin e parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.

SPAK me anë të një njoftimi zyrtar sqaron se Rajmonda Dashi ka bashkëpunuar me dy vëllezër të dënuar në Belgjikë për trafik droge.

Këto veprime janë kryer për llogari të dy vëllezërve, të cilët policia i çoi në pranga pasi rezultojnë të dënuar për trafik droge në Belgjikë.

Ndaj ish-drejtoreshës, rëndojnë disa akuza. Aktualisht, Rajmonda Dashi ishte emëruar specialiste për zonën e Vorës dhe Kamzës. Në dhjetor 2021, ajo dha dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i komanduar i Kadastrës së Durrësit.

Lexo edhe: SPAK sekuestron 12 apartamente, biznese dhe 27 llogari bankare. Kujt i përkasin

“Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale  “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal”, thuhet ne njoftim.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi bazën e akteve te dërguara nga autoritetet e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës ka regjistruar procedimin penal nr. 18, të vitit 2023, për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorine e Përgjithme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasit shqiptarë B. R dhe L. R (vëllezër), të dënuar nga autoritetet Belge të Drejtësisë për vepra penale të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti në bashkëpunim të veçantë me personat nën hetim A.M dhe R.D kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.

Në kuadër të këtij hetimi është kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimi i masave të sigurimit personal shtrëngues për personat nën hetim.

Gjykata me vendimin nr. 114, datë 24.10.2023 ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga nenet 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasit B.R; L.R: A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal dhe masën e sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasen R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 26.10.2023 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata ndaj shtetasve A.M. dhe R.D.

Gjithashtu gjatë hetimit janë identifikuar pasuritë dhe veprimet juridike të kryera mbi këto pasuri, ku është kërkuar sekuestrimi i pasurisë sipas ligjit Nr. 10 192, datë 3.12.2009, i ndryshuar, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 29, datë 23.10.2023 ka vendosur sekuestrimin për pasuritë e mëposhtme:

12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;
4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;
3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
27 (njëzetë e shtatë) llogari bankare;
Një shoqëri tregëtare;
2 (dy) automjete;
Hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera./Albeu.com 


Shtuar 26.10.2023 13:30