DETAJET/ Donte të digjte makinat e Salillarit për 200 mijë euro, Hoxha ishte nën përgjim kur u vra

Janë zbardhur detaje të reja nga pengmarrja dhe vrasja në Malin e Dajtit biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Burimet bëjnë me dije se në kohën kur ndodhi krimi i rëndë, biznesmeni i vrarë nga miku i tij, Ferdinand Rrushi, ishte nën përgjim nga Prokuroria e Tiranës.

Shkak për vendosjen në përgjim të Rruzhdi Hoxhës së bashku me dy miqtë e tij me inicialet, Gj.L dhe E.Gj, ka qenë një kallëzim i bërë nga kompania e ndërtimit “Salillari” që në muajin tetor në Komisariatin e Vorës.

Mësohet se sipas firmës Salillari është kryer një tentativë për grabitje brenda perimetrit rrethues të kompanisë së ndërtimit, që ndodhet në Marikaj të Vorës.

Mësohet se Hoxha ka qënë bashkë me dy persona të tjerë në tentativën për grabitje, ku janë  pikasur nga roja i kompanisë janë larguar me vrap, por janë kapur nga kamerat e sigurisë.

Duke parë pamjet filmike të kamerave dhe informacioneve të mbledhura në rrugë operative, Policia dhe prokurorët e Tiranës, kanë vënë në përgjim telefonik tre personat, Gj.L, E.Gj dhe biznesmenin Hoxha, por edhe tre personat që dyshohet se kishin hyrë për të vjedhur.

Sipas djali të viktimës, babai i tij i kishte bërë me dije se kishte marrë një ofertë të majme prej 200 mijë eurosh për të djegur makineritë e kompanisë. Por djali nuk flet për asnjë moment me emra se nga kush kishte ardhur oferta.

Dëshmia e tij përputhet me përgjimin që ishte iniciuar, pas kallëzimit penal, ndërsa viktima ishte nën monitorimin e Policisë deri më 21 Tetor 2021, ditë kur edhe u zhduk.

Telefonatën e fundit e bëri me Ferdinand Rrushin, por ky i fundit për shkak se ishte në kërkim nga Policia italiane, ruhej nga një arrestim i mundshëm, e numrin e kishte regjistruar e një tjetër qytetari.

Natën e vrasjes së tij, hetuesit kanë pasur edhe shkëputje të qelisës së celularit, duke menduar se Ruzhdi Hoxha, ka mbyllur telefonin ose kishte shkatërruar kartën se ndoshta kishte kuptuar se po përgjohej.

Për disa ditë nuk ka pasur asnjë kontakt me të, deri në 24 tetor, ditë kur familjarët e biznesmenit shkuan për të denoncuar zhdukjen e tij, ndërsa me shumë siguri dyshonin se bëhej fjalë për rrëmbim. Në fund u mësua se biznesmeni ishte vrarë, e për ngjarjen janë arrestuar vëllezërit Ferdinad dhe Pajtim Rrushi, si njerëzit që kanë ideuar dhe kryer krimin e rëndë ndaj 43-vjeçarit. /albeu.com/

 


Shtuar 10.11.2021 15:20