Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi ditën e sotme propozimin e Partisë Demorkatike për shfuqizimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.
Kujtojmë se kërkesa e PD në KAS erdhi pas vendimit të kreut të KQZ, Ilirian Celibashi për ta regjistruar koalicionin “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e 6 marsit.
Për rreth 60 minuta pesë anëtarët e KAS debatuan me dyer të mbyllura nëse kërkesa duhej marrë në shqyrtim ose jo.
Në përfundim të saj, KQZ-ja bëri të ditur zyrtarisht se me votat 3-2 u rrëzua kërkesa e PD-së për tu marrë në shqyrtim, me argumentin se selia blu si palë ankuese nuk ka interes të ligjshëm e për rrjedhojë nuk legjitimohet për këtë kërkesë ankimore.
Sipas burimeve, bëhet e ditur se Ledio Braho dhe Ilir Rusmali ishin pro shqyrtimit të kërkesës në KAS, ndërsa Elvin Lako, Koli Bele dhe Elvis Cefa ishin kundër.
Interesant është fakti që Elvis Cefa, një ish-drejtor i rëndësishëm i qeverisjes së Partisë Demokratike dhe i propozuar nga PD-ja në KAS, bashkoi votat me socialistët kundër PD-së dhe indirekt në favor të Berishës./albeu.com/