DETAJE/ Si kamuflohej në Kosovë “baroni” i drogës Gëzim Çela, përdorte emër tjetër

Detaje të reja mësohen nga arrestimi i “baronit” të drogës Gëzim Çela në Kosovë.

Çela i shpallur në kërkim, u arrestua gjatë një operacioni të përbashkët të Shqipërisë, Kosovës dhe partnerëve.

Ai përdorte emrin Bekim Bajraktari në Kosovë për tu maskuar.

Gëzim Çela, i arrestuar sot në Kosovë, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia në kuadër të operacionit “Flakë në det”, për rastin e trafikut dhe shkëmbimit të hashashit me kokainë në mes të detit. Çela ishte në arrati që prej vitit 2014 kur u zbulua laboratori i heroinës në Fushë Kuqe, por vijonte aktivitetin e drogës edhe gjatë këtyre viteve.

Në kuadër të këtij operacioni më 9 Tetor 2023 në Fushë Kuqe, u arrestua Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit i dyshuar në mbështetje të aktivitetit kriminal të të ashtuquajturit “baroni i drogës”, ndërsa ishin shpallur në kërkim edhe Arben Dalipaj, nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi. Operacioni për arrestimin e tij sot ishte një vijim i atij “Flakë në Det” më 15 gusht 2023.

Skema e trafikantëve në Fushë Kuqe:

Policia në bashkëpunim me SPAK kishin informacion për një shkëmbim të mundshëm në det të hapur në zonën e Patokut. Ish polici Amarildo Ismailukaj u zbulua në saj të përgjimeve për komunikimet e tij të shpeshta me skafistin Arben Dalipajn (i vetmi që ja doli të arratiset më 15 gusht).

Ismailukaj jepte me qira gomonet me të cilat transportohej hashashi dhe në këmbim merrej kokaina, të cilën e sillnin nga Kepi i Rodonit 2 ukrainas (të arrestuar), shkëmbimi bëhej gjatë ditës, në det të hapur. Pasi bëhej shkëmbimi, skafisti Dalipaj shkonte të dorëzonte drogën e shkëmbyer (pra kokainën), në restorantin ‘Royal Blue’ në pronësi Nderim Çelës nipit të Gëzim Çelës i cili ka edhe një resort në këtë zonë. Më pas, Ismailukaj shkonte në restorant për të marrë gomonet.

Policia i gjeti 10 mijë euro në kroskotin e makinës, çka e shtyu të dyshonte se edhe ish polici ishte i përfshirë.

Por teksa Gëzim Çelaj ishte në kërkim ndërkombëtar, shefi i komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj përpos se ishte në dijeni se ku gjendej ‘baroni i drogës’ e shoqëronte atë dhe trafikantët e tjerë me makinë.

Policia ndërhyri pasi bënë shkëmbimin në det, sapo i pikasën ukrainasit i kanë vënë flakën kanabisit ndërsa skafisti Dalipaj me pseudonimin ‘Kapelja’ u arratis, dyshohet se mori edhe kokainën.

Kush është Gëzim Çela?

Nga officer i Forcave Speciale para vitit 1997 ku kishte dyshime se ai drejtonte një bandë të vogël, Gëzim Çelaj u njoh më vonë, si “bosi i trafikut të drogës” nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për këtë trafik,.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare goditi një grup, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar. Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai luante rolin e korrierit që kishte marrë në Prishtinë, ary ku dhe u arrestuan në flagrancë 3 persona me 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse gjatë kontrolleve në vilën e Gezim Çelës në Fushë Kuqe të Mamurrasit, u gjetën 18 kg heroinë, 150 kilogramë kanabis sativa, 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara, 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Atëkohë policia shoqëroi të vëllanë e tij Kujtim Çelën. Më vonë u arrestua dhe Gëzim Çela. Ai u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”.

Por kur policia shkoi në shtëpinë e tij ai nuk ishte. Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge. Ndërkohë Çela ka vijuar aktivitetin e tij i pa shqetësuar. Grupi ku ai është dënuar për herë të parë, u bë shumë i njohur, pas arrestimit të Valentina Tufinës e njohur si “Tezja e Kokainës”.


Shtuar 8.12.2023 20:15