Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse në banesën e një gjyqtari në Shkodër. Sipas informacioneve, autori i cili ka vendosur tritolin në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, ka qenë i maskuar dhe pasi ka vendosur lëndën plasëse, është larguar në këmbë.
Policia e Shkodrës, është e sigurt se vënia e sasisë plasëse ka qenë e qëllimshme.
Nga pamjet e sigurisë , shihet një person që vjen në këmbë lë sasinë e lëndës plasëse dhe po ashtu, në këmbë largohet përmes rrugicave.
Autori ishte i veshur me rroba të errëta dhe i maskuar në pjesën e sipërme të kokës.
Hetuesit janë përqendruar në verifikimin e kamerave të sigurisë, në një rreze më të largët për të lokalizuar autorin.
Gjyqtari Tonin Sterkaj, nuk ka ndihmuar shumë hetuesit për t’i dhënë një drejtim të qartë të hetimeve, pasi nuk ka dijeni se kush mund të jetë autor.
Ndërkohë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.