Detaje nga ngjarja në Shkodër, viktima babai i 24-vjeçarit të shpallur në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me krimin e ndodhur sot në Shkodër. Mësohet se viktima Ismet Çekorja është  babai i Bajram Çekorjes, 24-vjeçarit të shpallur në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit të ndodhur vetëm pak ditë më parë, më 25 gusht.

Pas shpalljes në kërkim të djalit të tij, Ismet Çekorja doli para mediave duke mbrojtur djalin e tij. Ai u shpreh më 29 gusht se djali i tij ka qenë diku tjetër në momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut, kur që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time njëkohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time njëkohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre. Po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë.
Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera. Këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa bandit, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet”,  këto kanë qenë fjalët e viktimës për mediet 4 dite më parë.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve./albeu.com