Detaje nga ngjarja në Mamurras, një nga të plagosurit vëllai i bashkëpunëtorit në vrasjen e vëllezërve Haxhia

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e orëve të para të mëngjesit në Mamurras, ku mbetën të plagosur me armë zjarri, Gentian Diva dhe Andi Skonja.

Burime për albeu.com bëjnë me dije se atentati me armë ka ardhur pas një konflikti banal dhe “molla e shërrit” dyshohet të ketë qenë një vajzë.

Një nga të plagosur, Gentian Diva, është vëllai i Enver Divës, bashkëpunëtorit në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në Durrës.

Në lidhje me ngjarjen është arretuar autori i dyshuar Andi Diva dhe është shpallur në kërkim Kastriot Lleshaj.

Si ndodhi ngjarja:

Rreth orës 01:45, Andi Diva dhe Kastriot Lleshaj kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip ” Honday” duke plagosur Andi Skonjën, 39 vjeç, banues në Durrës, Gentian Divën , 40 vjeç, banues në Fushë- Mamurras , të cilët janë transportuar në spitalin e Traumës Tiranë dhe ndodhën nën kujdesin mjekësor.

Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta hetimore kanë berë identifikimin e autorëve dhe arrestimin e njërit prej tyre.

Specialistët e Hetimit të Krimit, benë arrestimin në flagrancë të 19 vjeçarit Andi Diva, banues në Mamurras, si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasit Kastriot Lleshajt, 50 vjeç, banues në Mamurras.

Gjatë kontrollit të banesës të ushtruar në banesën e Andi Divës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, me krehër dhe 20 fishekë.
Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 22.02.2022 08:47