Pavarësisht thirrjes së Presidentit amerikan Joe Biden që anëtarët e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore të mbanin një qëndrim më të fortë kundër luftës në Ukrainë, takimi SHBA-ASEAN përfundoi të premten pa një deklaratë që të dënonte sulmin rus ndaj Ukrainës. Kjo është një shenjë e situatës komplekse gjeopolitike në rajon ndërsa administrata amerikane përpiqet të zgjerojë përtej Evropës koalicionin kundër Moskës.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e Azisë Juglindore përfunduan takimin special dy-ditor SHBA-ASEAN në Uashington të premten.
“Duam një Indo-Paqësor të lirë, të hapur, të qëndrueshëm, të begatë dhe të sigurt.”
Presidenti Biden nuk e përmendi Ukrainën në komentet e tij dhe takimi përfundoi pa një dënim të Rusisë.
Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN, ka shmangur kritikat ndaj presidentit rus Vladimir Putin. Shumë vende anëtare të shoqatës duan të jenë neutrale, përfshirë Indonezinë, e cila i ka rezistuar presionit për të përjashtuar Putinin nga takimi i G-20-ës që do të mbahet në Bali në muajin nëntor, pavarësisht kërcënimeve të Presidentit Bidenit dhe udhëheqësve të tjerë perëndimorë për bojkotim të takimit.
“Shpresojmë që lufta në Ukrainë të ndalet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i jepet shansi zgjidhjes paqësore të konfliktit”, tha Retno Marsudi, Ministre e Jashtme e Indonezisë.
Kjo është një shenjë e kompleksitetit gjeopolitik në rajon ndërsa administrata amerikane kërkon të zgjerojë përtej Evropës koalicionin kundër Moskës.
“Administrata e Presidentit Biden i sheh vendet e ASEAN-it si një partner jetik në konkurrencën me Kinën, kështu që nuk është e gatshme të prishë marrëdhëniet për një deklaratë për agresionin rus”, thotë Stacie Goddard nga Kolegji Wellesley.
Shtetet e Bashkuara njoftuan një iniciativë për investimin e 150 milionë dollarëve në rajon për projektet e infrastrukturës klimatike dhe shëndetësore, duke përfshirë 60 milionë dollarë për sigurinë detare, një shqetësim për shumë vende të rajonit ndaj militarizimit në rritje të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.
“Ne mbështesim aleatët dhe partnerët tanë në mbrojtjen e rendit të bazuar në rregullat detare, i cili përfshinë lirinë e lundrimit dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar”, tha Nënpresidentja amerikane Kamala Harris.
Ndonëse shumë ekspertë theksojnë shifrën e ulët të investimeve për këtë rajon krahasuar me dhjetëra miliarda dollarë që po jepen për Ukrainën, takimi sinjalizoi një fokus të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Indo-Paqësorit.
“Diplomacia ka të bëjë me paraqitjen dhe shumica u paraqitën. Pavarësisht përqëndrimit tek Ukraina, Presidenti Biden dhe shumica e qeverisë amerikane shpenzuan dy ditë për t’u përqëndruar në takimin me vendet e ASEAN-it. Pra, në këtë aspekt, takimi ishte një sukses”, thotë Gregory Poling nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të ASEAN-it shprehën gjithashtu shqetësim për krizën në Mianmar dhe angazhimin për çarmatimin bërthamor të Gadishullit Korean./VOA