Dështoi me Laçin, sulmuesi shqiptar e ka gati firmën me klubin e njohur italian

Një tjetër futbollist shqiptar bëhet gati të ndryshojë destinacion në këtë edicion. Dardan Vuthaj, sulmuesi 27-vjeçar shqiptar, i ka dhënë lamtumirën dje skuadrës së Foxhias me të cilën luajti në sezonin e kaluar, për t’iu bashkuar një tjetër klubi në Serinë C.

Mediat italiane bëjnë me dije se Vuthaj ka nisur bisedimet dhe është shumë pranë akordit me Krotonen. Palët janë dakord për bashkëpunimin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes para mbylljes së merkatos së verës.

Vuthaj luan prej disa vitesh në Itali, kryesisht në kategoritë e ulëta, teksa ka bërë emër sidomos me skuadrat e Serisë C dhe D. Ai u kthye në një emër shumë të përmendur në Itali dy sezone më parë, kur shënoi 35 gola në Serinë D me Novarën. Disa vite më parë, ai provoi edhe të luante në kampionatin shqiptar duke iu bashkuar ekipit të Laçit, por pa shumë sukses pasi u largua pas vetëm një edicioni.


Shtuar 30.08.2023 18:07