Dëshmia tronditëse e Artan Tafanit për ekzekutimin e Albi Bashaliut/ E kam qëlluar 4 herë, Laert Haxhiu kërkonte…

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, është rikthyer sërish para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme, për të rrëfyer detaje të reja mbi vrasjen e Albi Bashaliut.

Në dëshminë e tij, Tafani ka treguar se urdhri për eliminimin e Bashaliut, erdhi nga Laert Haxhiu, i cili kërkonte hakmarrje në emër të Lorenc Lalës.

Sipas Tafanit, babai i viktimës kishte vrarë babanë e Lorencit në burg, ç`ka ndezi zinxhirin e gjakmarrjes.

“Duhej ta bënim për Lorenc Lalën”, është shprehur Tafani në sallën e gjyqit.

Gjithashtu, ai rrëfeu se viktima, që merrej me tregtinë e pulave, u lokalizua në fshatin Gjonçaj. Aty ishte organizuar vrasja, me planifikim dhe logjistikë të mirëpërgatitur: makina e përdorur ishte një Audi i bardhë, ndërsa armët me silenciator u siguruan nga Bledar Berberi.

“Kam qëlluar katër herë, dy herë në gjoks dhe dy në shpatull. Tjetër armë nuk punoi”, tha Tafani, duke shtuar se pas vrasjes u larguan me një Benz me targa greke, i cili më vonë u dërgua në Greqi nga Laerti.

Tafani theksoi se veprimtaria kriminale, ishte e organizuar dhe e mbështetur nga figura kyçe të krimit të strukturuar, përfshirë njerëz të afërt me Saimir Taullain, Ligor Romaçka e Bledar Berberi.


Shtuar 11.06.2025 12:33