Dermaku largohet nga Parma, gati tek ekipi tjetër i Serie B

Kastriot Dermaku ka përfunduar plotësisht jashtë planeve të Parmës. Klubi emilian nuk llogarit më mbrojtësin kuqezi e për këtë arsye, as nuk e ka aktivizuar në fazën përgatitore apo në ndeshjen e parë zyrtare që ishte në Kupën e Italisë. Por për të, kjo situatë mund të sjellë një transferim të cilit ai nuk do t’i thoshte jo.

Gjigandi i mbrojtjes, është gati të kthehet për një tjetër sezon në radhët e Leçes, ku u huazua nga Parma edhe një vit më parë. Ekipi ka pësuar ndryshime të mëdha, por Dermaku shihet si një futbollist i cili mund të japë kontribut të rëndësishëm. Një kontribut që nuk e dha siç duhej në sezonin e kaluar i ndalur nga COVID dhe dëmtimet.

Palët po shqyrtojnë mënyrën se si mund të kryhet ky transferim, por me shumë mundësi, Dermaku nuk do të mbyllë vitin e tij të fundit të kontratës te Parma. Përkundrazi, me fillimin e kampionatit, në mos te Leçe, ai pritet të transferohet te ndonjë nga rivalët e tjerë të Parmës për ngjitjen në Serinë A pasi paraqitjet e tij në elitën e futbolli italian kanë bindur se ai është një element me shumë cilësi.


Shtuar 16.08.2021 18:30