Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, thotë se ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli mund të ishte një Giorgia Meloni në politikën shqiptare.
I ftuar në “Euronews Albania”, Shehu u shpreh se Partia Demokratike pati në udhëheqje figura dhe mosha të reja, por sërish dështoi.
Sipas tij, në politikë nuk është e rëndësishme vetëm mosha, por edhe energjitë e idetë.
“Duhet të jem shumë i sinqertë, padyshim që Partia Demokratike kaloi një moment të vështirë, ka rikuperuar shumë, përsëri ka vështirësitë e saj, veçanërisht në nivelin e disa deputetëve. Ne bëmë një trajektore me figura dhe mosha më të reja, por dështuam.
Jozefina Topalli mund të ishte, nuk qëlloi të ishte, por aktiviteti politik është i gjatë, nuk është se mbaron me kaq, as për Jozefinën, as për njeri tjetër. Rëndësi ka në disa momente jo vetëm mosha, por edhe energjitë e idetë”, tha ai.
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare në Itali dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend.
Meloni është shprehur se me këtë fitore të së djathtës, në Itali është shkruar historia.