Deputeti demokrat deklaron shkëputjen nga PD e Alibeajt: Nuk kthehem sa të jetë ai dhe ata që e drejtojnë nga mbrapa

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar për humbjen e PD-së zyrtare në zgjedhjet locale të 14 majit.

Ai është shprehur se humbja kërkon analizë të thellë, ndryshe opozita do të rrezikojë edhe në zgjedhjet e dy viteve më pas.

Sula deklaroi gjithashtu ne News 24 se fushata që bëri Alibeaj në Tiranë dhe në rrethe ishte e turpshme, madje shtoi se kishte deputetë që deklaronin se Veliaj ka bërë një punë të mirë.

Në fund Sula bëri me dije se nuk do të vijojë punën me grupin parlamentar të drejtuar nga Alibeaj, për sa kohë të jetë ky i fundit dhe ata që e drejtojnë.

Mendoni si Berisha dhe Meta për manipulimin e zgjedhjeve?

Rezultati ishte i dhimbshëm dhe shokues për PD-në. Më pëlqeu analiza e Berishës për të bërë një analizë të hollësishme në çdo degë.

Votat u ekzekutuan para se të hynin në kuti?

Ne vinim nga zero pushtet në këto zgjedhje. Të gjitha efektet që ndodhën në 2021, këto zgjedhje dhe në 2025, janë për shkak të vendimeve të gabuara të Bashës në ndarjen territoriale në 2015, komision të cilin Basha e braktisi. Merrni shembull Elbasanin, vota e qytetit i ka fituar Boçi, ndërsa votat e fshatit i ka marrë kandidati i PS-së. Merrni shembull Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha ka marrë gjithë votën e qytetit, ndërkohë që humbjen e mandatit e kanë vendosur të burgosurit të burgut të Rrogozhinës. E njëjta gjë edhe në Belsh, fatin e zgjedhjeve e ka vendosur burgu. Në Peqin gjithashtu, ne e dinim që kandidati i Bashkë Fitojmë do të merrte zero vota. Nëse e verifikon përmes kamerave të burgut, kush ka hyrë para se ata të votojnë, do shikosh që janë dhënë karta telefoni, janë dhënë ushqime për të burgosurit.

Gjatë fushatës elektorale PD u përplas hapur me BF-në…

Në Peqin ndodhte që eksponentë të caktuar që kanë gjithmonë pranë PD-së, kanë punuar për PS-në. i merrnim në telefon, nuk vinin të bashkoheshin dhe të punonin me shumicën e demokratëve. Për të mos thënë që kanë punuar hapur kundër kandidatit Mustafa Pashja. Mua më vinte turp kur shikoja Alibeajn se si bënte fushatë. Ne duhet të bënim armëpushim deri në 14 maj dhe më pas të bënim analizë. Foltorja mori votat e gjysmë milioni qytetarësh, ndërsa PD-ja zyrtare ka dalë për turp në vend të katërt. Shikoje në fushatë deputetë që dilnin me Bejkon dhe thonin “shumë mirë ka punuar Veliaj”. Unë do të jem zë ndryshe brenda PD-së. Analiza që foli edhe Berisha duhet bërë, gjithkush duhet të mbajë përgjegjësi. Nga unë i pari për Peqinin dhe Belshin dhe të gjithë të tjerët. Është shumë thjeshtë të thuash të gjithë fajin e ka Berisha. Ne kemi dy vjet që zihemi dhe shahemi me njeri tjetrin, çfarë duhet të presim ne nga pjesa gri? Nëse vazhdojmë kështu, rrezikojmë edhe në 2025.

Po PD-ja zyrtare duhet të reflektojë?

Unë nuk rikthehem më aty për sa kohë të jetë Alibeaj dhe ata që e drejtojnë nga mbrapa. Unë do punoj me demokratët në zonë, nëse më pranojnë. Nëse jo, do të vijoj të jem i pavarur. Nuk më intereson mandati. Do ti hap rrugën kujtdo figure që ta mbështesim. Edhe unë kam përgjegjësinë time në këto zgjedhje. Unë nuk arrita që mbështetësit e PD-së zyrtare ti vë në krah të kandidatit Pashja.

 


Shtuar 17.05.2023 14:02