Deputetët gjermanë njëzëri fajësojnë Serbinë për situatën në veri të Kosovës

Përpjekjet e Kosovës për vendosje të ligjshmërisë edhe në veri të Republikës së Kosovës kanë hasur në kundërshtim të fortë të serbëve lokalë. Ata të kontrolluar plotësisht nga Beogradi, fillimisht kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, më pas zgjedhjet dhe tash në fund përmes barrikadave dhe bllokimit të veriut kanë dalë kundër arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq mbi të cilin rendon akuza për terrorizëm.

Për më shumë se dy javë veriu ka mbetur i bllokuar nga barrikadat ndërkohë vetëm sot është liruar për qarkullim rruga që çon në pikën kufitare në Merdare, ndërkohë është paralajmëruar heqje e barrikadave edhe në veri të Republikës së Kosovës.

Këto veprime kanë ardhur pasi Dejan Pantiqit i është ndryshuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe pas dy komunikatave, një nga SHBA dhe BE dhe një tjetër nga KFOR-i, ku tregohej se Kosova ka dhënë garanci se s’ka listë të njerëzve të barrikadave për t’i arrestuar dhe që FSK-ja mund të shkojë në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, raporton Express.

Për gjithë tensionin e shkaktuar në veri të Republikës së Kosovës më të zëshëm kanë qenë deputetët e Parlamentit të Gjermanisë. Njëjtë sikur kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock edhe ligjvënësit gjerman kanë fajësuar Serbinë për tensionet në veri dhe për kërcënimin me ushtri ndaj Kosovës.

Deputeti Knut Abraham sot ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i bëjë më shumë presion Serbisë meqë e ka konsideruar të rrezikshëm dhe të papranueshëm kërcënimin që Vuçiq ia ka bërë Kosovës duke e vendosur ushtrinë në gjendje gatishmërie.

Ka reaguar edhe politikani tjetër gjerman, Frank Schwabe duke thënë se nëse s’ka rrugë kthimi për krizën në veri, atëherë përshkallëzimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë mund të kundërshtohet me integrimin më të shpejt të Kosovës në strukturat ndërkombëtare .

Deputeti tjetër Christoph Plos ka thënë se kërcënimet ushtarake të Serbisë dhe bllokimi i pikave kufitare janë veprime të papranueshme. Plos ka thënë se është e nevojshme që BE-ja të japë sinjale të qarta për Qeverinë e Serbisë.

“Kërcënimet ushtarake të Serbisë dhe bllokimi i pikave kufitare janë të papranueshme. Ne kemi nevojë për një sinjal të qartë nga BE për qeverinë serbe. Përshkallëzimi në Kosovë duhet të përfundojë menjëherë!”, ka shkruar ai.

Renata Alt, një deputete tjetër gjermane e cila merret në mënyrë aktive me Kosovën ka propozuar që të ndërpriten negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE menjëherë dhe të ndërpriten ndihmat financiare të BE-së për Serbinë. Ajo ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq se po e kërcënon Ballkanin me luftë, shkruan Gazeta Express.

“Acarimi i konfliktit mes Serbisë dhe  Kosovës është një kërcënim serioz për sigurinë në Europë! Vuçiq provokon zjarr në Ballkan. Ndaloni negociatat e anëtarësimit në BE me Serbinë tani, jo më shumë euro nga Brukseli në Beograd”, ka shkruar Alt.

Edhe deputeti tjetër i Bundestagut Boris Mijatovic ka thënë se Serbia duhet të ndalojë politikën e së kaluarës.

Ndërkohë përmes një komunikate për media ka reaguar edhe deputeti gjerman, Adis Ahmetovic duke thënë se duhet sqaruar menjëherë nëse në Serbi janë vendosur pjesëtarë rus të “Wagner”.

Tani më shumë se kurrë, BE-së dhe SHBA-së i kërkohet të ndërmarrin masa të menjëhershme konkrete për të përjashtuar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar paqen në Kosovë, për shembull duke rritur përsëri numrin e trupave të KFOR-it në vend, të cilat kanë dëshmuar vlerën e tyre si një spirancë e stabilitetit në rajon. Llogaritja e qartë e përpjekjes për të përsëritur një kapitull të errët në histori nuk duhet të lejohet të ketë sukses.”, ka thënë Ahmetovic./GazetaExpress/


Shtuar 29.12.2022 14:23