Denoncimi i Këlliçit: Situatë katastrofike me plehrat kapicë në 40 gradë, burim epidemie në mes të Tiranës

Ditën e sotme, përmes një reagimi në llogarinë e tij personale “Facebook”, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ndarë foto nga gjendja e rrugëve të Tiranës, ku duken qartë kazanët e tejmbushur me plehra.

Sipas Këlliçit, Tirana prej vitesh është e ndotur në çdo lagje e rrugicë të saj dhe kazanët e mbeturinave janë kthyer në një makth për çdo qytetar të Tiranës.

“E dielë e zakonshme në ‘Kryeqytetin Europian të Pastërtisë”, kështu i ka quajtur Këlliçi pamjet, teksa u kutjon qytetarëve se paguajnë 24 milionë euro në vit për pastrimin e Tiranës dhe kemi paguar deri tani 132 milionë euro, për inceneratorin që nuk ekziston.

Postimi i plotë:

“Një e dielë e zakonshme në “Kryeqytetin Europian të Pastërtisë”!

Kjo situatë katastrofike, me plehrat kapicë në 40 gradë, si një burim epidemie në mes të Tiranës, në Rrugën “Karl Gega”, ish Stacioni i Trenit Njësia 9, është pamja e zakonshme e dhjetra mijëra banorëve të kësaj njësie dhe jo vetëm.

Tirana prej vitesh është e ndotur në çdo lagje e rrugicë të saj dhe kazanët e mbeturinave janë kthyer në një makth për çdo kryeqytetas!

Përpos thithjes së ajrit më të ndotur në Europë, falë inceneratorit inekzistent, tashmë jetojmë dhe në kryeqytetin më të ndotur të Europës.

Të gjitha këto “arritje” madhore na i ka mundësuar pronari faktik i inceneratorit Tiranë dhe kreu i 5D, Erion Veliaj!

Tani mediat e paguara nga inceneratori dhe 5D, le të shfaqin kronikat e përditshme të pyllit orbital me 2 milionë pemë, shtimit të fushave të gjelbra në kryeqytet dhe transportit publik të mrekullueshëm, të cilin tani kreu i 5D ka nisur ta premtojë falas!!!

Ndërkohë mos harroni se paguajmë 24 milionë euro në vit për pastrimin e Tiranës dhe kemi paguar deri tani 132 milionë euro, për inceneratorin që nuk ekziston!”, shkruan Këlliçi.


Shtuar 25.08.2024 12:24