Dënimi i Saimir Tahirit, Bardhi: PD në mbështetje të SPAK, Rama është nyje lidhëse për të gjitha fijet e krimit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas Bardhit PD është në mbështetje të plotë të SPAK dhe kërkon që lufta ndaj eksponentëve të korruptuar të vijojë në të gjitha nivelet.

“Saimir Tahiri nuk është i fundit, ai është vetëm i pari në listën e gjatë të atyre që do të përballen me drejtësinë për krimin, korrupsionin e trafiqet që me Ramën në krye e shndërruan Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe vendin më të korruptuar në Europë.

Edi Rama mbrojti Saimir Tahirin sepse është edhe vetë i kapur ‘kokë e këmbë’ nga krimi. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë sepse ai e di që të gjitha fijet e krimit dhe trafiqeve lidhen te ai. Ai kishte të gjithë informacionin nga institucionet shqiptare dhe partnerët, por e mbrojti Saimir Tahirin dhe ministrat e tjerë të tij sepse ishte ai garanti i krimineleve të cilet i siguronin vota.

Me një drejtësi të pavarur Rama sot nuk do të ishte kryeministër po do të ishte më e pakta nën hetim për kanabizimin e Shqipërisë, korrupsionin, kriminalizimin e shtetit, inceneratorët etj.

PD është në mbështetje të plotë të SPAK dhe pret që ajo të veprojë me vendosmëri e pa u ndalur ndaj kujdo që ka shkelur ligjin dhe e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar të Europës”, u shpreh Bardhi./albeu.com/