Dëmtimet e rrugëve dhe pagesa dyfishe nga taksapaguesit shqiptarë

Ligjërisht, të gjitha palët e përfshira në ndërtimin e rrugëve duhet të sigurohen për përgjegjësitë e tyre. Por, në praktikë, kjo ndodh shumë rrallë dhe dëmtimet apo rrëshqitjet e rrugëve, shpesh edhe pak kohë pas ndërtimit të tyre, paguhen për së dyti nga taksapaguesit.

Në muajt e fundit, Shqipëria është përballur me një fenomen në rritje të dëmtimit të rrugëve, të lidhura sidomos me rrëshqitjet e dheut.

Të lidhura

None found

Fenomene të tilla janë vërejtur në disa rrugë kombëtare, ku ajo me përmasa më shqetësuese ndodhi në aksin Librazhd – Përrenjas dhe solli madje paralizimin e plotë të qarkullimit në aksin kryesor që lidh Shqipërinë Juglindore me pjesën tjetër të vendit.

Përtej diskutimeve të lidhura me shkaqet e këtyre rrëshqitjeve dhe me përgjegjësitë e palëve të ndryshme të përfshira, një aspekt i rëndësishëm është sigurimi i dëmit ekonomik në ndërtimin e veprave publike, duke përfshirë rrugët.

Që pas tërmetit të vitit 2019, është fakt përgjithësisht i njohur ekzistenca e detyrimit për sigurimin e përgjegjësive të ndërtuesit për ngritjen e ndërtesave. Por, një detyrim i njëjtë ekziston edhe për ndërtimin e veprave inxhinierike, duke përfshirë rrugët.

Ashtu siç ndërtuesi është i detyruar të sigurojë përgjegjësitë e tij kur ndërton një pallat, duke përfshirë dhe me fokus sidomos rrëshqitjen e tokës, ky detyrim duhet të zbatohet edhe për ndërtimin e rrugëve.

Nëse një rrugë shembet brenda 10 viteve nga ndërtimi i saj, për shembull, përfituesi, në këtë rast shteti, duhet të dëmshpërblehet nga kompania e sigurimeve.

Madje, shembuj të dëmtimeve të rrugëve shumë shpejt pas ndërtimit edhe kanë ndodhur, siç ishte, për shembull, rasti i Unazës së Burrelit. Por, sipas siguruesve, ky detyrim ligjor i firmave të rrugëve nuk zbatohet pothuajse asnjëherë.

Ligji detyron për sigurim projektues, zhvillues dhe ndërtues

Në dhjetor të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për përcaktimin e kushteve dhe elementeve të përgjithshme të sigurimit të përgjegjësisë profesionale të projektuesit, të grupit të projektimit dhe të zbatuesit të punimeve, si dhe rregullat dhe elementet e sigurimit, të përgjegjësisë së zhvilluesit për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë.

Projektuesi i licencuar është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale. Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.

Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm të projektimit të ri, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e gabimeve në projektim, si dhe kostot shtesë që mund të lindin për zhvilluesin, si pasojë e gabimeve në projektim gjatë zbatimit të projektit.

Gjithashtu, zbatuesi i punimeve si person juridik, i licencuar, është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale.

Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij gjatë procesit të ndërtimit të objektit.

Shuma e sigurimit llogaritet duke mbuluar të paktën çdo shpenzim të nevojshëm e të domosdoshëm për kryerjen e punimeve të reja, si dhe shpenzimet shtesë të kryera nga zhvilluesi ose organet e administratës publike, që kanë rrjedhur si pasojë e zbatimit të punimeve në kundërshtim me kontratën përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit, me dokumentet e planifikimit dhe zhvillimit, si dhe me legjislacionin në fuqi, që rregullon veprimtarinë e ndërtimit.

Zhvilluesi, si person fizik apo juridik, është i detyruar të lidhë një kontratë të sigurimit të përgjegjësisë profesionale për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë.

Kontrata e sigurimit të përgjegjësisë profesionale mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet nga rreziqet gjatë procesit të zhvillimit kundrejt palëve të treta.

Shuma e sigurimit llogaritet në përqindje ndaj preventivit të punimeve të zbatimit për kostot e llogaritshme, pa vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo vlerë do të jetë jo më shumë se 15% e vlerës së preventivuar të punimeve.

Detyrimi ligjor për t’u siguruar nuk zbatohet

Ogert Shkrepa, kryetar i Komitetit të Produkteve të Reja në Shoqatën Shqiptare të Siguruesve, thotë se investimet publike janë të ekspozuara karshi rreziqeve natyrore dhe është e rëndësishme që veprat të japin garanci për të ardhmen.

“Zakonisht, dëmet që lindin si pasojë e defekteve të fshehura, pasi mbaron projekti, lindin në 10-vjeçarin e parë. Ka një VKM që përcakton se gjatë certifikimit të objektit, marrjes në dorëzim nga ana e autoritetit që e ka ndërtuar veprën, duhet të marrë një garanci 10-vjeçare.

Kjo garanci nuk përdoret vetëm në Shqipëri, por është një produkt europian, në mënyrë që të mbrojë buxhetin e shtetit dhe që e njëjta vepër të mos paguhet për së dyti me paratë e taksapaguesve.

Kjo zakonisht ka gjetur zbatim vetëm për pjesën e ndërtimeve të pallateve, në momentin që ndërtesat certifikohen nga bashkitë. Ndërsa, për sa u përket veprave publike, detyrimi nuk ka gjetur zbatim. Edhe pse është detyrim ligjor që të sigurohen edhe gjatë ndërtimit të veprës, në shumë pak raste kjo ndodh në realitet”, thotë z. Shkrepa.

Sipas tij, në momentin e parë që një firmë ndërtimi merr projektin apo lidh kontratën, ajo duhet të bëjë sigurimin e rreziqeve në ndërtim dhe përgjegjësive ndaj palëve të treta. Çdo dëm që mund të lindë gjatë fazës së punimeve paguhet nga kompania e sigurimit.

“Në momentin që marrin përsipër një rrezik të tillë, kompanitë e sigurimit kanë inxhinierët e vet të ndërtimit që shkojnë dhe vlerësojnë rrezikun, vlerësojnë raportin gjeologjik të tokës, vlerësojnë zonën ku po ndërtohet ajo vepër, kanë të dhënat historike për ngjarjet e ndodhura më parë në atë zonë.

Kjo mundëson vlerësimin e përshtatshëm të rrezikut të zonës përkatëse, duke përcaktuar edhe primin e sigurimit. Ndërkohë, siguruesi mund të japë edhe rekomandime për ndërtuesin, bazuar në rreziqet e konstatuara”, – thotë z. Shkrepa.

Ai thotë se nevojitet rishikimi dhe ngritja e kapaciteteve edhe te punonjësit publikë, që të mos jenë inspektorë të thjeshtë, por të kenë kapacitete për ta vlerësuar rrezikun dhe për ta bërë atë punë saktë. Përtej detyrimit ligjor, që edhe ai nuk zbatohet plotësisht, ai vëren se kultura e sigurimit vullnetar është shumë e dobët edhe në këtë segment.

“Këtë praktikë e zbatojnë kryesisht kompanitë e huaja, sepse ato kanë një kulturë tjetër sigurimi. Në disa raste, kompanitë e huaja detyrojnë edhe nënkontraktorë shqiptarë që të kryejnë sigurimet përkatëse të përgjegjësive”, shprehet ai.

Shifrat e sigurimit, të vogla

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se sigurimi i përgjegjësive civile, ku përfshihen edhe sigurimet e përgjegjësive të ndërtuesve, ngelet në shifra modeste.

Për vitin 2025, primet e shkruara bruto në sigurimin e përgjegjësive civile të përgjithshme kishin vlerën e 945 milionë lekëve, ose rreth 10 milionë eurove.

Ky produkt sjell më pak se 4% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës. Numri i kontratave të lidhura gjatë vitit 2025 ishte pak më shumë se 20 mijë.

Megjithëse numri i kontratave mund të duket i rëndësishëm, përfaqësuesit e shoqërive të sigurimeve shpjegojnë se, në pjesën më të madhe, ato u takojnë sigurimit të apartamenteve të reja të shitura gjatë vitit, me detyrimin për sigurimin e përgjegjësisë së ndërtuesit mbi to.

Dëmet e paguara në këtë segment kishin vlerën modeste të 9.5 milionë lekëve.

Specifikisht, primet e shkruara bruto në sigurimin e përgjegjësive në ndërtim kishin vlerën e 360 milionë lekëve, ku besohet se pjesën më të madhe e përbëjnë sigurimet e detyrueshme të ndërtuesve për ndërtimin e pallateve.

Sigurimi i përgjegjësive të ndërtuesve përbënte më pak se 1.5% të primeve të shkruara bruto në sigurimet e jo-jetës për vitin 2025./Monitor